Nju Jork, 12 shtator, NOA - Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj ishin ndër 2.752 viktimat që u vranë në sulmin terrorist të 11 shtatorit të 2001 në Nju Jork.
Janë edhe këta tre emrat që shënohen në pllakën përkujtimore, por edhe që konsiderohen si heronjtë e Amerikës dhe pjesë e historisë së saj. Ata janë emrat që u lexuan dhe u përkujtuan nga mijëra amerikanët që ishin tubuar pranë Ground Zero në Nju Jork për të përkujtuar 9 vjetorin e kësaj tragjedie.
Në ceremonialin përkujtimor që për herë të parë u organizua në lokalitetin afër dy ish-kullave binjake ishin tubuar edhe qindra shqiptarë nga trojet e ndryshme, për të ndarë dhembjen dhe për të qenë përkrahë Amerikës.
Pra të gjithë ata që vdiqën më 11 shtator 2001, përfshirë më shumë se 400 punëtorë të shpëtimit. Midis tyre ishin 343 zjarrfikës dhe 60 oficerë policie nga Nju Jorku dhe Autoriteti Portual. Emrat e tyre janë të simbolizuar në pllaka përkujtimore në shtabet e zjarrfikësve të qyteti, në stacionet e policisë, dhe në përmendore të ngritura në mjedise të bukura në të gjithë qytetin.
Ceremonia e 9 vjetorit të ngjarjeve në 11 shtatorit 2001, për herë të parë u mbajt shumë pranë vendit ku kanë qenë dy kullat binjake në “Park Zuçotti”, ngjitur me vendin ku ka qenë Qendra Botërore e Tregtisë në pjesën e poshtme të Manhatan.
"Nuk ka tragjedi më të madhe në jetën e këtij qyteti. 11 shtatori 2001 e ka goditur qytetin tonë aq shumë, sa që ky qytet nuk ka parë ndonjëherë në tërë historinë e tij", theksoi kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Blumberg i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Joe Biden.
Presidenti Barack Obama po në të njëjtën kohë ka marrë pjesë në një shërbesë përkujtimore në Pentagon, aty ku ishte rrëmbyer aeroplani Airlines Flight 77 dhe që u rrëzua, në një pjesë të ndërtesës së Pentagonit, duke marrë jetën e të gjithë pasagjerëve në bord 59 dhe 125 të tjerëve brenda ndërtesës.
Në Shanksville, Pensilvani, ku u rrëzua aeroplani Airlines Flight 93, i cili mendohet se ra pasi pasagjerët u përpoqën për të marrë kontrollin e aeroplanit nga rrëmbyesit, ishin Zonja Parë Michelle Obama, të cilës kësaj i radhe i është bashkuar dhe ish-Zonja e Parë Laura Bush për një ceremoni përkujtimore për të kujtuar 33 pasagjerët dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit që kanë vdekur në këtë rrëzë kodre në këtë fshat.
Gati tre mijë njerëzit, që humbën jetën nga sulmet e 11 shtatorit, ishin shtetas të më tepër se 70 vendeve, një botë e tërë në miniature, midis tyre humbën jetën edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj e Rrok Camaj.
NOA/INA