English

Kermabon paralajmëron marrjen e masave për të evituar incidentet

Prishtinë, 12 shtator, NOA - EULEX-i do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in që të evitojë incidente si ai i mbrëmjes së të shtunës në Mitrovicë.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë vetë shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, pas vizitës që i ka bërë policit francez të EULEX-it në spitalin e Prizrenit.

Kermabon ka dënuar incidentin në Mitrovicë, që kishte filluar pas humbjes së Serbisë nga Turqia në basketboll.

“Në vende demokratike çdokush ka të drejtë të demonstrojë, por incidenti i mëngjesit të sotëm është një akt i cili duhet të dënohet nga të gjithë”, ka thënë shefi i EULEX-it. Ai ka shtuar se policët e EULEX-it nuk kanë përdorur plumba gome gjatë përleshjes me demonstruesit.

Kermabon ka konfirmuar se situata gjatë pasdites së sotme në Mitrovicë është e qetë. Në incidentin në urën Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës janë lënduar 7 persona, nga ta një polic i EULEX-it, një i Policisë së Kosovës, 4 serbë dhe një shqiptar.

NOA

KOMENTE