Berlin, 12 Shtator 2010 NOA/ Milena Selimi – Do të organizohet në Shqipëri, për të shtatin vit radhazi, “Miss Globe International” që shënon dhe edicionin e 37-të të këtij aktiviteti.
Nata finale e spektaklit të bukurisë do të mbahet këtë vit më 24 shtator, në Sarandë. Deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen 49 konkurrente nga bota.
Miss-et pritet të vijnë në Shqipëri duke filluar prej datës 12 shtator, për të nisur më pas me programin zyrtar të “Miss Globe International”.
Nevina Shtylla, Miss Shqipëria e këtij viti do të përfaqësojë Shqipërinë pasi dihet se në këto shtatë vjet fituesja e Miss Shqipërisë përfaqëson Shqipërinë në eventin e “Miss Globe”.
Prezantuesit e këtij spektakli janë Enkel Demi, Çiljeta Xhilaga dhe Eduard Oga.
Pritet që të ketë të ftuar nga bota, ndërsa nuk do të mungojnë edhe artistët shqiptarë. “Miss Globe” është aktiviteti që bën të mundur pjesëmarrjen e Shqipërisë në kalendarin e aktiviteteve të bukurisë në të gjitha agjencitë e modeleve dhe organizatorëve të konkurseve të bukurisë në botë.
m.s/e.r/NOA