English

Përse negociata?

Pse pikërisht Serbia? Përgjigja është e thjeshtë – sepse është Serbia ajo që kontrollon çerekun e territorit të Kosovës me strukturat e veta paralele, të cilat Thaçi me pushtetin e tij i toleron dhe me të cilat ka biznes dhe bashkëpunim. Hashim Thaçi dhe strukturat paralele të Serbisë bashkëjetojnë lumturisht si në aspektin politik edhe në atë ekonomik

Nga Glauk Konjufca

Serbia e ka ditur prej fillimit se nuk do të mund ta rihap statusin e Kosovës nëpërmjet rezolutës së saj drejtuar Asamblesë së Përgjithshme OKB-së. Ajo e ka ditur se kërkesa e saj për bisedime të reja ku do të problematizohej statusi i Kosovës do të kundërshtohej nga ato vende që e kanë sponsorizuar Planin e Ahtisaarit. Por Serbia ka pranuar të mos e përfshijë statusin e Kosovës qëllimisht, ashtu që ta fitojë kompromisin e synuar. Kompromisi është ky: Serbia e heq statusin nga rezoluta, kurse Kosova duhet të hyjë patjetër në negociata. Serbia gjithnjë e ka mbajtur pozicionin maksimal të kërkesës ashtu që edhe nga kompromisi të fitojë diçka.

Është Serbia ajo që arriti ta imponojë edhe një proces të ri negociator, kurse është Qeveria e Kosovës ajo që po feston. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para dy ditësh përplot entuziazëm tha se jemi të gatshëm për bisedime me Serbinë.

Dhe shtoi se kësi bisedime do të ketë me të gjitha vendet fqinje, duke i paraqitur këto negociata si dialogim të zakonshëm me të gjitha shtetet rajonale. Shtrohet pyetja: përse kësi bisedime për Kosovën nuk po kërkon, ta zëmë, Maqedonia, por Serbia?

Pse pikërisht Serbia? Përgjigja është e thjeshtë – sepse është Serbia ajo që kontrollon çerekun e territorit të Kosovës me strukturat e veta paralele, të cilat Thaçi me pushtetin e tij i toleron dhe me të cilat ka biznes dhe bashkëpunim.

Hashim Thaçi dhe strukturat paralele të Serbisë bashkëjetojnë lumturisht si në aspektin politik edhe në atë ekonomik.

Negociatat e vitit 2006 dhe 2007 u bënë që pavarësinë e plotë të Kosovës ta zbresin te Plani i Ahtisaarit. Negociatat e viteve 2010-2011 po bëhen që Planin e Ahtisaarit për territoret e Kosovës që i kontrollon Serbia ta zbresin te Plani 6 Pikësh.

Në negociatat e shkuara Kosova hyri me pavarësi e doli me Plan të Ahtisaarit. Në negociatat e ardhshme pushteti do të hyjë me Planin e Ahtisaarit dhe do të del me Planin 6 Pikësh.

Do të bisedohet për policinë, gjyqësinë, doganat, transportin, telekomunikacionin, trashëgiminë kulturore, si dhe për rregullimin e brendshëm territorial të Kosovës – më shumë komuna serbe, edhe më shumë pushtet për to, dhe ndonjë status special për veriun e Kosovës.

Beogradi po bëhet faktor për qeverisjen e një ¼ të Kosovës falë politikës sonë zyrtare të korruptuar dhe interesave të përbashkëta të krimit të organizuar me Serbinë.

Edhe negociatat e kaluara u quajtën teknike, jopolitike, pragmatike e konstruktive, por ato e betonuan ndarjen e brendshme të Kosovës, kurse trashëgiminë tonë kulturore të mesjetës ia falën Serbisë.

Me Serbinë nuk mund të ketë biseda jopolitike, sepse problemi që e kemi me të është politik. Ato negociata na kushtuan shumë, por politikanët mashtruan duke thënë se këto negociata me kompromise të dhimbshme po bëhen ashtu që njëherë e mirë t’i mbyllet dera bisedimeve me Serbinë.

Tash po shkojnë sërish në negociata të reja me Serbinë. Këta politikanë po e fyejnë popullin e Kosovës jo vetëm duke pretenduar se populli nuk kupton, por se ai edhe harron.

Po të kishin qenë të dëmshme për Serbinë këto negociata, ajo nuk do t’i kish kërkuar ato. Por po i kërkon pikërisht ngaqë kështu i thotë përvoja fitimprurëse që ajo e ka me politikanët e Kosovës. Serbia po e dëmton Kosovën nëpërmjet politikanëve tanë të shitur, të cilët për miliona euro personale, e japin interesin e pallogaritshëm shtetëror dhe kombëtar.

Negociatat e dëmshme me Serbinë po vijnë, mbi të gjitha, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk e ka sfiduar në asgjë dhe për asnjë çast Serbinë brenda Kosovës. Jo vetëm sepse Qeveria Thaçi nuk e ka vullnetin e guximin, por edhe sepse e ka të përbashkët interesin material të kontrabandës e tregtisë, gjë që e ruan gjendjen ekzistuese. Pushteti në Kosovë nuk ka punuar për shtet.

Në Kosovë pushteti është fuqizuar karshi qytetarëve, në kurriz të shtetit që është dobësuar karshi Serbisë.

Po ta kishte konsoliduar Qeveria sovranitetin e shtetit nëpër të gjithë territorin e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të kish bërë trysni mbi Serbinë që ta pranonte realitetin. Tash që Serbia e ka konsoliduar kontrollin mbi veriun e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do të bëjë trysni mbi Kosovën që ta pranojë këtë realitet. E kjo do të thotë kështu: politikanët e shitur të marrin në qafë.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE