English

“Rënia e lirë” e Presidentit Obama

Sipas Francis Fukuyama, nëse Obama vërtet e ka humbur momentumin që i ofroi zgjedhja në krye të administratës amerikane pas dështimeve të Presidentit Bush, në mbarim të mandatit të tij ai do të konsiderohet një tjetër Jimmy Carter

Nga Fatos Tarifa Sondazhet e organizuara muajt e fundit nga gazetat më të mëdha amerikane dhe kanalet televizive kryesore në SHBA dëshmojnë në mënyrë konsistente se 60 për qind e amerikanëve nuk kanë besim te presidenti i tyre Barack Obama. Një president i cili kur mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë pëlqehej pothuaj nga 60 për qind e qytetarëve të vendit të tij, tani ka humbur besimin e një pjese të madhe të tyre dhe konsiderohet, kur nuk ka bërë ende 20 muaj nga mandati i tij, përgjithësisht, një president i dështuar. Ekspertë të politikës amerikane dhe vetë publiku amerikan vlerësojnë se disa nga presidentët e Shteteve të Bashkuara gjatë dekadave të fundit nuk kanë qenë të suksesshëm. Të tillë konsiderohen presidentët Jimmy Carter, Lyndon Johnson dhe Richard Nixon. George Ë. Bush, gjithashtu, konsiderohet nga një pjesë e madhe e publikut amerikan si një president jo i suksesshëm, ndonëse sondazhet e kohëve të fundit tregojnë se opinioni për të duket se është sot më pozitiv sesa dy vjet më parë. Po Barack Obama? Në vitin 2008, në Shtetet e Bashkuara ishin të shumtë ata që mendonin se Obama do të ishte një “Regan liberal”, pra një president i suksesshëm, madje presidenti që do të sillte ndryshime reale në Uashington, në ekonominë amerikane dhe në politikën globale. Shumë shpejt, sidoqoftë, u vu re se retorika e fjalimeve të tij elektorale nuk ishte në gjendje të sendërtonte një agjendë të suksesshme për veprim. Të gjitha sondazhet e kryera në këta 20 muaj të presidencës së tij dëshmojnë qartë se Obama është në “rënie të lirë”. Shumica e qytetarëve amerikanë reagojnë negativisht ndaj presidentit të tyre. Në qershor të këtij viti, një sondazh i realizuar nga kanali televiziv NBC dhe gazeta Ëall Street Journal tregoi se vetëm 46 për qind e amerikanëve besojnë në ndershmërinë e presidentit Obama dhe vetëm 44 për qind e tyre besojnë se ai e ka vendosmërinë e duhur për të marrë vendime të rëndësishme. Në janar të vitit 2009, kur Obama erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë, 63 për qind e amerikanëve besonin në ndershmërinë dhe vendosmërinë e tij si president i tyre. Çuditërisht, rënia e Obamës në vlerësimin e opinionit publik amerikan ndodhi shumë shpejt. Ajo filloi të vihet re qysh në muajt e parë të presidencës së tij. Madje, brenda 20 muajve të mandatit të tij, shkalla e pëlqimit të presidentit Obama ka rënë në atë nivel që mbështetja për presidentin paraardhës, George Ë. Bush, ra vetëm në vitin e gjashtë të presidencës së tij. Sipas sondazheve të kohëve të fundit, në disa prej shteteve të SHBA’së opinioni për presidentin Obama është madje më negativ sesa opinioni për presidentin Bush. Pakënaqësia ndaj presidentit Obama ka si shkak kryesor situatën ekonomike në Shtetet e Bashkuara, e cila ende nuk ka dalë nga gjendja në të cilën ra ajo me krizën financiare. Në shumë aspekte, siç janë krijimi i vendeve të reja të punës, shkalla e papunësisë, deficiti buxhetor dhe tregtar dhe niveli i rritjes së GDP’së, ekonomia amerikane paraqitet sot më dobët sesa gjatë periudhës së presidentit Bush. Qysh nga shkurti i vitit 2009, një muaj pasi Barack Obama mori në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, ekonomia amerikane ka humbur 2.3 milionë vende pune, çka është rekordi më negativ ndër të gjithë presidentët amerikanë në 19 muajt e parë të mandatit të tyre, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Pakënaqësia ndaj presidentit Obama reflektohet dukshëm edhe në rënien e përkrahjes për Partinë Demokratike, e cila, siç rezulton nga sondazhet, ka humbur pesë përqind në raport me republikanët dhe mund të humbasë në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin Amerikan, në nëntor të këtij viti. Është ende tepër herët të thuhet se cili do të jetë “fati” i presidentit Obama dy, gjashtë apo njëzetë vjet më vonë. Megjithatë, shumë vëzhgues dhe analistë të politikës amerikane, konservatorë dhe liberalë, qysh sot e konsiderojnë Obamën, përgjithësisht, një president të pasuksesshëm. Kritikat për të vijnë nga të gjitha anët, jo thjesht dhe jo vetëm nga neokonservatorët dhe kundërshtarët e tij republikanë, por edhe nga shumë demokratë dhe një pjesë e publikut amerikan që votoi për të. Niall Ferguson, profesor i njohur i ekonomisë në Universitetin e Harvardit, shkruan se Obama e nisi presidencën e tij me një kapital politik të konsiderueshëm, por brenda një viti humbi shumë nga ky kapital për shkak të mungesës së përvojës në çështje ekzekutive dhe të defekteve të lidershipit të tij. Dorothy Rabinoëitz, gazetarja e Ëall Street Journal dhe fituese e Çmimit Pulitzer, është e mendimit se Obama po humbet kredibilitetin e tij pasi ai nuk e kupton popullin amerikan dhe ka humbur kontrollin mbi mesazhin e tij. Në një kuptim shumë real të fjalës, zgjedhja e Obamës në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara mund të konsiderohet si mishërim i mundësive për realizimin e “ëndrrës amerikane” dhe si një shembull domethënës i veçantësisë amerikane. Sidoqoftë, derisa gjatë fushatës presidenciale Barack Obama kishte një narrativë, ushqeu shpresa, mobilizoi pjesëmarrje të gjerë në votime dhe dëshmoi se ishte mjeshtër i fushatës elektorale moderne, shumë shpejt pas ardhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë ai e humbi këtë narrativë dhe filloi të besojë se retorika mbi politikat shëndetësore dhe politikat kulturore do të zgjidhnin problemet ekonomike dhe sociale të Amerikës, ndërsa fjalimet e shkruara mund të luanin rolin e politikës së jashtme. Mungesa e narrativës te Presidenti Obama është një dukuri që e dallon atë nga presidentët më të suksesshëm amerikanë të shekullit të 20, si Teddy Roosevelt, Ëoodroë Ëilson, Franklin Roosevelt, Harry Truman, Dëight Eisenhoëer, John F. Kennedy, Ronald Reagan, apo Bill Clinton. Të gjithë këta besonin në veçantësinë (exceptionalism) amerikane dhe kishin një narrativë mbi karakterin amerikan që përputhej edhe me personalitetet e tyre dhe që i bënte shumicën e amerikanëve të identifikoheshin me ta. Josef Joffe, akademik dhe analist i njohur i politikës amerikane, e kritikon Presidentin Obama për mungesë identiteti në rolin e tij si lider i Shteteve të Bashkuara, duke e konsideruar atë të paaftë që t’iu përgjigjet sfidave të sotme. Sipas Joffe, politika e ndjekur nga Obama është si një “fluks”, përmbajtja e së cilës mund të shprehet me këto fjalë: “Të shohim se ç’do të ndodhë”. Francis Fukuyama, nga ana e tij, ka vënë në dukje kohët e fundit se fati i Presidentit Obama do të jetë i ngjashëm me fatin e njërit prej presidentëve demokratë që kanë drejtuar Shtëpinë e Bardhë përpara tij. Këta janë Jimmy Carter, i cili konsiderohet një president i dështuar, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme, ose Lyndon Johnson, i cili pati sukses në politikën e brendshme, por dështoi në politikën e jashtme, ose Franklin D. Roosevelt, i cili ishte një president shumë i suksesshëm si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme. Sidoqoftë, argumenton Fukuyama, nëse Obama vërtet e ka humbur momentumin që i ofroi zgjedhja në krye të administratës amerikane pas dështimeve të Presidentit Bush, në mbarim të mandatit të tij ai do të konsiderohet një tjetër Jimmy Carter. Ironikisht, Jimmy Carter dhe Barack Obama janë dy presidentët amerikanë të cilëve u është dhënë çmimi “Nobel” për paqen në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, krahasuar me dy presidentë emblematikë të Shteteve të Bashkuara si Theodore Roosevelt dhe Woodroë Wilson, të cilët u vlerësuan me këtë çmim në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. (*) Autori është Ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në SHBA

KOMENTE