English

Sejdiu: Incidenti në Mitrovicë, cënon imazhin e stabilitetit në Kosovë

Prishtinë, 12 shtator, NOA – Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka dënuar sot incidentin e ndodhur mbrëmë në Mitrovicë, duke deklaruar se ngjarje të tilla mëtojnë të dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe se këto incidente u shërbejnë vetëm atyre që janë kundër paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit, qofshin ata kosovarë dhe serbë.

Deklarata e presidentit Sejdiu është bërë publike përmes një njoftimi për shtyp, ku thuhet se presidenti i Kosovës i kërkoi institucioneve përgjegjëse të rendit dhe të sigurisë, që të hetojnë mbi ngjarjen dhe ta zbardhin atë sa më parë.

Presidenti i Kosovës ka kërkuar që fajtorët të nxirren para drejtësisë dhe që policia të mos lejojë përsëritjen e të tilla incidenteve.

Sipas zotit Sejdiu këto janë veprime huliganësh që janë kundër ligjit dhe kundër bashkëjetesës mes serbëve dhe kosovarëve.

Andaj presidenti i Kosovës i bëri thirrje popullit për maturi.

Më herët edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu keqardhje për këtë incident ku u plagosën disa vetë, mes të cilëve edhe një polic francez i EULEX-it.

“Dëshiroj të shpreh keqardhje në emër të Qeverisë për incidentin që ka ndodhur, por në asnjë rrethanë asnjë incident i izoluar nuk do të mund ta ndalë progresin dhe zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës”, u shpre shefi i ekzekutivit të Kosovës, pas kthimit nga Nju Jorku.

Kryeministri Thaçi, ka garantuar se në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës si dhe në mbajtjen e zgjedhjeve në tri komunat me shumicë serbe do të punohet sipas Planit të Ahtisaarit.

Kryeministri i Kosovës theksoi se “Kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme të vlerësuara nga e gjithë bota – pra, për ndërtimin e realitetit demokratik dhe multi-etnik edhe në veri. Është hapur zyra e Republikës së Kosovës atje që funksionon, ndërsa do të punohet vetëm sipas Planit të presidentit Ahtisaari”.

Edhe shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, i ka quajtur të papranueshme incidentet e fundit në veri të Kosovës.

Kermabo ka siguruar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar përsëritjen e veprimeve të tilla, ndërsa ka kërkuar edhe dënimin e shkaktarëve të përleshjeve mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Pas miratimit të rezolutës së ndryshuar serbe në OKB, Veriu i Kosovës do të mbetet në shënjestër të angazhimit të misionit të NATO-s dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë.

mit/NOA
KOMENTE