Mungojnë punonjësit e parkut arkeologjik Orikum. Turistët kanë pritur 1 orë e gjysmë por nuk ka shkuar asnjë punonjës ndaj janë larguar pa e vizituar parkun
Orikum 12 shtator 2010 NOA/ Gëzim Llojdia - Një autobus me 52 turistë çekë pengohet të vizitojë Parkun Arkeologjik Orikum. Skandali merr përmasa në një kohë kur turistët e huaj ngelën të zhgënjyer dhe me gjeste e veprime treguan atë që po ndodhte përpara syve të tyre.Mos lejimin nga ushtarët e postbllokut të autobusit çek i ardhur prej km larg është justifikuar me mungesën e punonjësve të parkut arkeologjik.
Që prej majit, ekziston një marrëveshje e parkut Arkeologjik me Operatorët turistikë të Vlorës, për të sjellë në këtë park rreth 900 turistë çekë të cilët do të kalonin pushimet në bregdetin jugor të Radhimës.
Fillimisht, gjithçka ka funksionuar rregullisht dhe për asnjë rast turistët e huaj nuk janë ndalur në postbllok, kjo në sajë edhe të marrëveshjes me komandën e Distriktit detar si dhe rigorozitetit me të cilën punonjësit e parkut kryenin detyrën.
Por dy ditë më parë, 52 turistë çekë ikën të zhgënjyer duke mos vizituar një ndër sitet arkeologjike më të njohur në këtë krahinë dhe siç u shprehën me të drejtë, ata kanë dyshuar në propagandën që është bërë për turizmin.
Komenti
Shqipërinë nuk mund ta mbajë dot vetëm 2 muaj sezon turistik në një kohë që është kërkuar prej kohësh zgjatja e sezonit turistik, madje duke kapur edhe kufirin turizëm gjithëvjetor.
Ky autobus çek me 52 turistë që kthehej i dëshpëruar nga pengimi ishte pjesë e një marrëveshjeje për të sjellë turistë në këtë sit arkeologjik.
Në radhë të parë duhet kërkuar përgjegjësi reale. Përse kthehet autobusi me turistë në një kohë që turizmi do të mbetet prioritar edhe për vitet e ardhshëm në këtë vend. Përse nuk është kryer më parë marrëveshje me autoritete ushtarake për të lejuar turistët sipas një rregulli që ka ekzistuar.
Përse kanë munguar punonjësit e parkut arkeologjik kur më së paku duhet të kishte punonjës të gatshëm që të prisnin turistët.
Si do të justifikohen drejtuesit e MTKRTS në një kohë që detyra që ka dhënë kryeministri ka qenë e qartë, turistët tu krijohet mundësia por si duhet vepruar në një rast të tillë kur nuk ka punonjëse parku?
Ku është specialisti apo kujdestari i parkut. Nëse kishte ditë pushimi, lihet një punonjës për të pritur turistët i cili e bënë pushim në ditën pasardhëse.
A duhet kuptuar se mungesa e organizimit është një problem që ka lindur dhe po vazhdon me këtë rast flagrancë kur turistët e huaj nuk priten nga parku?
g.ll/NOA