English

Turqia në referendum për ndryshimet në kushtetutë

Ankara, 12 shtator, NOA - Mbi 50 milionë turq pritet të votojnë sot në mbarë vendin me referendum ndryshimet në kushtetutë, për të cilat kryeministri konservator turk Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar votën pro të popullit, duke konsideruar se ndryshimet e një sërë nenesh në kushtetutë do të zvogëlojnë ndikimin e ushtrisë në sektorin e drejtësisë dhe politikës.

Partitë opozitare me partinë socialiste kemaliste CHP kanë kërkuar që ndryshimet të mos votohen pasi sipas tyre ato fuqizojnë edhe më tej pushtetin e kryeministrit turk.

Ndryshimet në kushtetutë prekin disa nene që lidhen me funksionimin e organeve të drejtësisë, dhe që në rast të pranimit do t’i kalonin më shumë fuqi ligjore parlamentit, sa i përket zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë apo kryeporkurorëve si edhe për vendime të marra nga prokuroria.

Vetë kryeministri Erdogan i mbështet ndryshimet e hedhura për votim duke theksuar se parlamenti duhet të marrë pjesë në zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë, pasi kjo ndodh edhe në vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Edhe BE, i ka mirëpritur ndryshimet e propozuara nga Erdogan, duke vlerësuar se ky është një hap i duhur për Turqinë moderne, që aspiron të bëhet pjesë e integruar e Bashkimit Evropian.

Madje BE, thekson në këtë kontekst se mirëpret veçanërisht disa nene të paketës së ndryshimeve, dhe pikërisht krijimin e një qendre të ankimit të qytetarëve si dhe mbrojtja dhe forcimi i të drejtave të fëmijëve.

mit/NOA
KOMENTE