Torino, 13 shtator, NOA/ Milena Selimi - Shkrimtarja Ornela Vorpsi paraqet librin e saj të fundit, “Bevete Cacao Van Houten!” në Torino.
Takimi do të organizohet nga shoqata italo-shqiptare “Vatra” në bashkëpunim me Bibliotekat qytetare të Torinos dhe shtëpinë botuese “Einaudi”.
Ai do të mbahet të shtunën më 18 shtator nga ora 18.30 deri në 20.30 në sheshin San-Carlo të Torinos.
Takimi është pjesë e manifestimit “Portici di carta” i promovuar nga Fondcioni për Librin, Muzikën dhe Kulturën.
Takimi do të drejtohet nga Cecilia Cognigni, nga Bibliotekat qytetare të Torinos dhe Benko Gjata, gazetar, korrespondent i ATSH-së në Itali.
“Bevete Cacao Van Houten!” është një përmbledhje 14 portretesh të mprehta që rrëfejnë tragjikomedinë e atij që ndihet i zënë në kurth, i detyruar të mos lëvizë vendit ose i shtyrë gjithnjë drejt tokash të premtuara të pafundme.
Autorja e këtyre 14 tregimeve, që është larguar nga Tirana 22 vjet më parë dhe ka zgjedhur të shkruajë në italisht, ka shpikur një tjetër vështrim: të tërthortë që dëfrehet duke përmbysur të vërtetat e gjuhës dhe të ekzistencës. Duke ndërthurur egërsinë me butësinë, Ornela Vorpsi portretizon atë qenie të mrekullueshme dhe të brishtë që është njeriu, i aftë të shesë veten për një ëndërr, deri edhe në frymën e fundit.
Ornela Vorpsi (Tiranë, 1968) ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas në Akademinë e Brera-s. Nga viti 1997 jeton në Paris. Është shkrimtare, fotografe, piktore dhe video-artiste.
Në Itali ka botuar “Il paese dove non si muore mai” (Einaudi 2005; çmimi Grinzane Cavour për vepra të para, çmimi Viareggio Kultura europiane, çmimi Vigevano, çmimi Rapallo për vepra të para, çmimi Elio Vittorini për vepra të para), “Vetri rosa” (Nottetempo 2006) dhe “La mano che non mordi” (Einaudi 2007; çmimi për letërsinë e udhëtimit Albatros città di Palestrina, çmimi Città di Tropea).
Konsiderohet mes 35 shkrimtarëve më të mirë evropianë në antologjinë Best European Fiction të kuruar nga Aleksandar Hemon (Dalkey Achive Press 2010).
Për kritikën, kryesisht atë italiane, Ornela Vorpsi përfaqëson një brez të rinj shkrimtarësh shqiptarë që shkruajnë në gjuhë të huaj, e që shohin vendin e tyre, Shqipërinë, me sy kritik.
Romani i parë i saj “Vendi që nuk vdes kurrë” është shkruar në gjuhën frënge, ndërsa Vorpsi refuzon ta botojë veprën e saj në shqip, refuzon, sidomos, të përkthejë në shqip "Vendi ku nuk vdes kurrë".
Sipas një interviste të dhënë për shtypin gjerman, Vorpsi pranon se kjo është dëshira e familjes së saj “Libri është tepër personal dhe familja i ka kërkuar që ky libër të mos përkthehet kurrë në shqip".
m.s/n.e/NOA