English

Berisha: Fabrika e re e çimentos në Krujë, provë mbështetje e qeverisë ndaj investimeve

Krujë, 13 shtator, NOA - Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) ka mbështetur përmes një investimi prej 29.4 milionë eurosh, në fund të vitit 2008 në kompaninë “Antea Cement”, për ta ndihmuar të ndërtonte një fabrikë çimentoje me një kapacitet prej 1.3 milionë tonësh.

Ky financim përbëhet nga 12.6 milionë euro investim në aksione (20% të aksioneve të kompanisë) dhe një kredi prej 16.8 milionë euro.

BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) do të ofrojë gjithashtu një financim të ngjashëm në aksione dhe në kredi për këtë kompani.

Ndërsa “Antea” përdori financimin për të ndërtuar fabrikën e cila do të mundësojë krijimin e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë të 800 vendeve të reja të punës, duke nxitur kështu edhe zhvillimin e ndërtimit, industrinë e ndërtimit të shtëpive, gjithashtu edhe infrastrukturën në vend.

Fabrika e re e çimentos do të hapë menjëherë 300 vende të reja pune edhe do të bëjë të mundur krijimin e 500 vendeve të tjera pune në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fabrike, kryeministri Berisha i përshëndeti dhe i falënderoi ndërtuesit e kësaj fabrike për besimin që dëshmuan dhe investimin që bënë, duke kontribuar në këtë mënyrë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Ai i garantoi drejtuesit e grupit “Titan” se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për një mjedis gjithnjë e më miqësor ndaj investimeve të këtij grupi dhe investimeve të huaja në tërësi.

“Inaugurimi i kësaj fabrike çimentoje është një ngjarje e madhe për Shqipërinë, është një ngjarje e madhe për peshën shumë të rëndësishme që ka në zhvillimin e ekonomisë së vendit, teknologjinë e shkëlqyer që ka zbatuar, eksportin e prodhimeve të saj”, u shpreh ai.

Duke shtuar se “ky është një realitet që ka ndikim të fuqishëm në ndryshimin e këtij vendi, që ka krijuar qindra e qindra vende pune, që kanë sjelle një model inspirues”.

n.e/NOA

KOMENTE