Shkup, 13 shtator, NOA – Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi sot lidhur me konferencën e PDSH-së, me temë: “Gjuha Shqipe dhe moszbatimi i saj në institucionet e shtetit”.
“Tani më është më tepër se evidente se kjo parti nuk ka një qëndrim konsistent për çështjet e rëndësishme në vend, e sidomos jo për ato që kanë të bëjnë me çështjen e të drejtave të shqiptarëve. Qëndrimi i tyre lidhur me këto çështje varet vetëm nga një faktor, a janë në pozitë apo opozitë dhe asgjë tjetër!”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI thotë se PDSH-ja sa ishte në qeveri, nuk bëri asgjë për zgjidhjen e kësaj çështje.
“Kishin (PDSH) shansin që të zgjidhin këtë çështje në periudhën katër-vjeçare të qeverisjes së tyre 1998-2002, por nuk bënë asgjë. Vetëm përkujtojmë se në atë kohë, jo që vetëm që gjuha shqipe nuk ishte zyrtare, por deputetët e kësaj partie në seancat plenare të Kuvendit nuk përdornin gjuhën amtare”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kjo gjë sipas BDI-së u ndryshua në periudhën 2002-2006. “Në këtë periudhë, PDSH-ja ishte në opozitë dhe normalisht u ndryshua qëndrimi i tyre. Iljaz Halimi nga PDSH për katër vjet pamundësoi punën e një komisioni parlamentarë si kryetar i tij, për shkak se tani (në opozitë), kërkonte të udhëhiqte komisionin në gjuhën shqipe. Kjo shans iu dha atij dhe kolegëve të tij, deputet të PDSH-së në periudhën 2006-2008 kur ato pa legjitimitetin e votuesve hynë në Qeveri. Por edhe atëherë harruan këtë kërkesë dhe deputetja Flora Kadriu (atë kohë deputete e PDSH-së) udhëhiqte komisionin kuvendor në gjuhën maqedonase”, thekson BDI.
Edhe kjo situatë u ndryshua me ardhjen në pushtet të BDI-së. Kështu pohon ky subjekt politik.
"Tani deputetët shqiptar, jo vetëm që kanë të drejtë të flasin në seancat plenare në gjuhën shqipe, por edhe udhëheqin komisionet kuvendore në gjuhën e vet amtare. BDI-ja, siç ka theksuar shumë herë kryetari i saj, nuk e vlerëson ligjin aktual për përdorimin e gjuhës shqipe si të përkryer, por e vlerëson si hap përpara në drejtim të realizimit të plotë të së drejtës për përdorimin e gjuhës aëtare. Por, për dallim nga PDSH-ja nuk ndryshon qëndrimin vetëm në bazë të një fakti, “a jam në pushtet apo jo”, thuhet në fund të reagimit të BDI-së. (INA)
PDSH: Shqipja s'ka emër në Maqedoni Anëtari i lartë i kryesisë së PDSH-së, Imer Aliu, sot në një konferencë për shtyp deklaroi se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni.
“Sot do të sqaroj për Abdilaqim Ademin, Ali Ahmetin dhe BDI-ne, se si ka vdekur një nga shtyllat kryesore të M.O, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Ky është Ligji për përdorim të gjuhëve që e flasin se paku 20% e qytetarëve ne Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Aliu.
Ai tha se: “Ky Ligj është miratuar me 4 gusht të vitit 2008, në vazhdën e euforisë të një strukture të paudhë që veten e quan BDI, pasi u bënë pjesë e Qeverisë, për disa ore votuan dhjetëra ligje antishqiptare. Me këtë ligj, version i të cilit i është ofruar edhe PDSH-së por që ne nuk e pranuam, gjuha shqipe dhe përdorimi i saj në institucione degradohet skajshmërisht dhe nuk mund të krahasohet as me nivelin e përdorimit që e kishte para viti 1990”.
Sipas tij, ligji në fjalë është edhe në kundërshtim me Kushtetutën, amendamenti 5 i inkorporuar ne nenin 7, ndryshime këto që burojnë nga M.O.
“Neni 7 i Kushtetutës alineja 2 miratuar më 20 Nëntor të vitit 2001, thotë,”Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve , gjithashtu është gjuhë zyrtare…” Kjo dispozitë kushtetuese është më se e qartë për të gjithë, përveç Abdilaqim Ademit e Ali Ahmetit të cilët lëvdohen me një ligj qëllimi kryesor i të cilit nuk është përdorimi zyrtar i Gjuhës shqipe por përkundrazi pamundësimi i përdorimit zyrtar të saj”, shtoi Aliu.
PDSH kërkon nga BDI t’ju sqarojë shqiptarëve se “Përse ata nuk mund të komunikojnë me institucionet në gjuhën shqipe? Përse mbishkrimet ne institucionet shtetërore nuk janë edhe në gjuhën shqipe? Përse e ndërprenë iniciativën e filluar të PDSH për vendosjen e mbishkrimeve nëpër rrugë edhe në gjuhën shqipe? Përse të gjitha materialet e institucioneve publikohen vetëm në gjuhën maqedonase?”.
NOA-INA