Tiranë, 13 shtator, NOA - Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, Hasan Gerçeker, në krye të një delegacioni të posaçëm, ka vizituar sot Shqipërinë, me ftesë të homologes së tij shqiptare, Shpresa Beçaj.
Gerçeker tha se Gjykata e Lartë e Turqisë ka tashmë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke theksuar se kjo marrëdhënie shkon më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve, pasi mbi të gjitha ka në thelb të saj bashkëpunimin mes dy gjykatave të larta.
Sipas tij, në Turqi, gjyqësori po u kushton vëmendje maksimale reformave në mënyrë që të arrihen standardet e shumëkërkuara europiane.
Këto takime kanë në plan të parë shkëmbime të ndërsjella të eksperiencave të veçanta të secilit prej shteteve, në mënyrë që të dyja palët të mësojnë nga gabimet dhe arritjet e njëri-tjetrit.
Mbi të gjitha, pavarësia e pushtetit të tretë në vendet me demokraci kushtetuese duhet të jëtë parësore dhe ky mesazh ka një rëndësi të veçantë si për Turqinë dhe Shqipërinë.
Nga ana e saj, Beçaj e ka vlerësuar pa masë vizitën e bërë nga homologu i saj Turk, duke u shprehur se ky bashkëpunim mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, të cilët duhet të kenë besim maksimal në organet e drejtësisë, por edhe në interes të të gjithë rajonit.
“Problematikat janë të përbashkëta dhe duhet të jemi të gatshëm për t’u përballur me to, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe në funskion të demokracisë”, - është shprehur në fjalën e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë shqiptare.
n.e/NOA