Tiranë, 13 shtator, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot një grup nga IFC (Korporata Financiare Ndërkombëtare), pjesë e grupit të Bankës Botërore, të kryesuar nga drejtori i ri rajonal, Dimitri Tscitsciragos.
Ky i fundit e falënderoi kryeministrin për takimin dhe përgëzoi për rezultatet e arritura nën drejtimin e qeverisë së tij.
Ai tha se kthehet pas shumë vitesh, në Shqipëri dhe sheh ndryshime shumë të mëdha, të cilat dëshmojnë realitetin e rezultateve dhe shifrave optimiste, të botuara nga ndërkombëtarët dhe institucionet e tjera shtetërore.
Tscitsciragos shprehu më tej optimizmin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm të IFC-së dhe qeverisë shqiptare, me fokus në sektorin privat.
Ai tha se eksperiencat e suksesshme të IFC-së me qeverinë shqiptare në disa projekte në sektorin e energjisë apo sektorë të tjerë e bëjnë këtë institucion të jetë më ambicioz në të ardhmen, për përfshirjen e tij në projekte të ndryshme në sektorin privat, duke mbështetur reformat e ndërmarra nga qeveria, për të lehtësuar dhe nxitur sektorin privat.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Tscitsciragos për vlerësimet dhe përkushtimin e IFC-së në mbështetje të reformave të ndërmarra nga qeveria që ai drejton si në mandatin e parë, ashtu edhe tani.
“Mbështetja e fuqishme e sektorit privat, - tha kryeministri, - ka qenë dhe është një nga prioritetet e qeverisë, prandaj kërkojmë dhe mbështesim përqendrimin e projekteve të IFC-së në sektorin privat”.
Kryeministri theksoi se Shqipëria e kaloi me sukses dhe shëndet të fortë krizën ekonomike botërore, duke mbajtur rritje ekonomike prej 3.5 përqind dhe duke dalë e shëndetshme dhe e stabilizuar nga goditjet e saj.
“Ndërkohë efektet e krizës nuk kanë ndaluar projektet e sektorit privat, qeveria, - theksoi kryeministri, - ndjen si detyrë mbështetjen jo vetëm me reforma thelbësore të këtij sektori, por dhe mbështetjen financiare të tij nga IFC dhe sistemi bankar e financiar”.
n.e/NOA