English

Incidenti, KMDLNJ: Të vendoset rendi dhe ligji në veri dhe jug të Mitrovicës

Prishtinë, 13 shtator, NOA – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar sot për incidentin që ndodhi mbi lumin Ibër në Veri të Mitrovicës, natën e të shtunës, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale të kampionatit botëror të Basketbollit, ku Turqia fitoi me përfaqësuesen e Serbisë.

KMDLNj deklaroi në një konferencë për shtyp se kundër kësaj dhune të orkestruar, e cila ka mbështetje politike, andaj kërkon marrjen e përgjegjësisë për të gjithë kriminelët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Ngjarjen ku pas përleshjes me gurë dhe me mjete shpërthyese të tifozëve serbë dhe shqiptarë u plagosën disa vetë dhe një polic francez i EULEX-it, KMDLNJ e cilëson si një ngjarje që realizohet në vazhdimësi të dhunës, që shpjegohet edhe me një vrasjen para disa kohësh të të riut shqiptar.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë thekson se shpërthimet dhe të shtënat me armë në këtë pjesë të Kosovës, pra në Veri të Mitrovicës janë shndërruar në përditshmëri si pasojë e mosfunksionimit të ligjit dhe bllokimit të punës së gjykatave në këtë pjesë të Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së, luftimi i krimit të organizuar në veri të Mitrovicës ka mbetur vetëm në planin retorik dhe për këtë mungon vullneti politik.

Ajo e ka konsideruar përleshjen midis tifozëve mbi ndeshjen e basketbollit, vetëm si pretekst, pasi ngjarja ka ndodhur padyshim në kontekst politik dhe pikërisht mori jetë nga urrejtja e grumbulluar dhe potenciali i madh për ushtrimin e dhunës etnike.

Duke cilësuar se Mitrovica veriore është shndërruar në çerdhe të krimit të organizuar të të gjitha profileve, ku ka shqiptarë që bashkëpunojnë me kriminelët serbë dhe kështu këtij krimi i japin karakter multietnik, KMDLNj tërheq vërejtjen se nëse aty nuk vendoset sundimi i ligjit, përleshjet me dhunë do të shndërrohen në dukuri, me pasoja të paparashikueshme për të gjithë qytetarët e sidomos për ata që dëshirojnë të kthehen në pronat e tyre.

mit/NOA
KOMENTE