Tiranë, 13 shtator, NOA Update– Kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar propozimet për ndryshime në qeveri të bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim duke deklaruar se kishte qenë vetë zëvendëskryeministri Ilir Meta që 6 muaj më parë i kishte kërkuar të lëvizte nga posti i ministrit të Punëve të Jashtëm, për të qenë sa më pranë partisë së tij.
Në një komunikim me mediat pas propozimeve të LSI-së, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se i pranon propozimet e aleatit të saj kryesor në qeveri.
“Shumë muaj më parë Ilir Meta më ka folur për ndryshime në qeveri duke i shprehur shqetësimin se axhenda e ngjeshur e ministri të Jashtëm nuk i jepte kohën e duhur për të qenë pranë LSI-së.
Në këtë kontekst, kryeministri pranoi se i kishte kërkuar që pikërisht në këtë kohë të qëndronte ende në postin e tij, për shkak se në diplomaci priteshin vendime të rëndësishme mbi çështjen e Kosovës si mendimi i GJND-së dhe miratimi i rezolutës në OKB.
Kryeministri berisha deklaroi sakaq se propozimet e LSI-së, për vendosjen e Ilir Metës si ministër i Ekonomisë dhe të Edmond Haxhinastos në postin e ministrit të Jashtëm do të nisen për t’u dekretuar te Presidenti i Republikës.
Duke mbrojtur ndryshimet e propozuara, shefi i Ekzekutivit ka mbrojtur punën e ministrit aktual të Ekonomisëe, Dritan Prifti, duke theksuar se reformat ekonomike përparuan edhe më tejh gjatë drejtimit të dikasterit nga ana e tij.
Në vend të ministrit Prifti, LSI ka propozuar të vendoset ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Ndërsa në postin e Metës të vendoset nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.
Më tej zoti Berisha ka deklaruar se partia e tij nuk do të propozojë ndryshime në qeveri, duke nënkuptuar se ministrat e PD-së do të qëndrojnë të palëvizur në postet e tyre respektive.
mit/NOA