Tiranë, 13 shtator, NOA - Arsimi për qeverinë shqiptare përbën përparësinë më madhore, me bindjen e thellë se çdo hap drejt përmirësimit dhe rritjes së tij është hapi më i sigurt drejt një të ardhmeje me të shkëlqyer që meritojmë.
Kështu ka deklaruar sot kryeministri Berisha gjatë fjalës në inaugurimin e shkollës 9- vjeçare “Ibrahim Rrugova”, në Kamëz, investim me vlerë 180 milion lekë, e ndërtuar në kuadër të projektit, “Cilësi dhe barazi në arsim” me mbështetjen e Bankës Botërore.
Kjo shkollë, e cila përbën një model në anën funksionale dhe kreative, ka 1200 nxënës, 36 klasa, si dhe laboratorë moderne dhe mjedise sportive të bollshme.
Duke e cilësuar inaugurimin e kësaj shkolle, si një ngjarje të shënuar për Kamzën, kryeministri Berisha në fjalën e tij drejtuar nxënësve u shpreh se ata duhet të ndihen krenar që e nisin vitin shkollor në shkollën e re, që mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptar, të të gjitha kohërave, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, intelektualit të madh shqiptar, Presidentit Ibrahim Rugova.
Kryeministri theksoi se këtë vit arsimi në Shqipëri po ecën drejt niveleve të reja, të mëdha, cilësore.
“Ky është viti i parë në historinë e vendit, në të cilin, 90% e nxënësve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare trokasin dhe hyjnë në shkollat e mesme të vendit dhe kjo përbën një nga nivelet më të mira”, tha ai.
Duke garantuar se tre vitet që vijnë do të jenë vitet e ndryshimeve të tjera të mëdha, të sistemit arsimor në të gjitha ciklet e tij.
n.e/NOA