English

Llazi Serbo, humbja e trishtë e radhës për teatrin dhe kinematografinë shqiptare

Korçë, 13 shtator, NOA Update – Ndarja e sotme nga jeta e aktorit të njohur korçar, Llazi Serbo, shënon trishtimin e radhës për humbjen e një zëri e imazhi të dashur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Ai i renditet listës së emrave të njohur si Aleko Prodani, Violeta Manushi, Vangjel Furxhi etj, të cilët kanë dhënë një kontribut të pashlyeshëm në ecurinë e Teatrit të Korçës dhe u bënë më pas figura të patjetërsueshme edhe për ekranin e kinemasë.

Por që tani fatkeqësisht, nuk janë më mes nesh, për të na dhuruar emocionet e skenës dhe ekranit, siç vetëm ata ditën t’ia japin publikut shqiptar në dekadat e fundit të shekullit të kaluar.

Llazi Serbo e ka nisur karrierën e tij artistike me dramën “Njolla të Murrme”, ndërkohë që do të arrinte në 100 numri i roleve të këtij artisti të madh, në skenë dhe në ekran, ku do të veçohej roli i komandantit gjerman në filmin “Nusja dhe Shtetrrethimi”.

Sikundër, e paharrueshme në kujtesën e publikut shqiptar do të mbetet dhe figura e Dalanit në filmin “Yjet e netëve të gjata”, apo roli i Kreshnik Martinit në filmin “Operacioni i zjarrit” etj.

I vetëvrarë në moshën 65-vjeçare, aktori Llazi Serbo, njihet për vlerësimin e tij me çmimin “Artist i Merituar”, si edhe atë të Qytetarit të Nderit të Korçës.

Ndërsa sa i përket botës së kinemasë, ai mbetet i paharruar në rolet e luajtura tek filmi

“Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Yjet e netëve të gjata” (1972); “Asgjë nuk harrohet” (1985) apo “Kush vdes më këmbë” (1984); “Tre njerëz me guna” (1985); “Dasma e shtyrë” (1985); “Shembja e idhujve” (1977) etj.

Por ai provoi gjithashtu edhe eksperiencën e të qenit regjisor e njëkohësisht edhe skenarist, të dyja këto, të bashkuara për shembull në filmin “Kush e solli Doruntinën”.

Gjatë intervistimeve të kohëve të fundit, ai do të shprehte shqetësimin e tij për ecurinë e skenës dhe ekranit, duke qenë kritik ndaj faktit se sipas tij “kemi shumë aktorë dhe pak premiera”, apo duke pohuar se “dashuria e tij e parë ka qenë dhe do të mbetej arti figurativ”.

n.e/NOA

KOMENTE