Tiranë, 13 shtator, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta në një konferencë për mediat pranoi ndryshimet e propozuara nga LSI duke deklaruar se do të përmbushë detyrën e tij si ministër i ardhshëm i Ekonomisë me të njëjtin përkushtim që ka kryer edhe detyrën e ministrit të MPJ-së.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta pranoi për mediat se tërheqja e tij nga posti i shefit të diplomacisë shqiptare vjen për shkak të mungesës së tij të vazhdueshme në drejtimin e LSI-së, për shkak të axhendës së ngjeshur të punës në krye të dikasterit të Punëve të Jashtme.
I pyetur për një konflikt mes tij dhe ministri Dritan Prifti, kreu i LSI-së, tha se “Unë nuk dua të merem me spekulime, por nuk është tashmë sekret, se kishte një lloj konflikti mes punës sime si ministër i Jashtëm dhe detyrës sime si kryetar i LSI-së, ku gjatë kësaj kohe më shumë se 100 ditë kam qenë larg fizikisht nga LSI, forcës politike unë përfaqësoj, një largësi e detyruar nga rrethanat dhe puna në drejtimin e MPJ-së”, ku ministri i Jashtëm përmendi procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjen e Kosovës.
“LSI ka marrë disa vendime që u bënë publike dhe unë nuk dua të shpjegoj më tej, por dua t’ju siguroj, tha Meta se meqënëse vazhdoj të përmbush detyrën si ministër i Jashtëm, edhe ai që do të vijë, Edmond Haxhinasto do të vijojë me dedikim të përmbushë detyrat e kësaj ministrie”.
Vendimet për liberalizimin e vizave dhe konsolidimi i çështjes së Kosovës , ju siguroj tha zoti Meta se janë prioritetet edhe në punën e zotit Haxhinasto, tek i cili kam besim të plotë.
Lidhur me postin e Ministrit të ardhshëm të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës, që pritet të dekretohet nga presidenti Topi, kreu i LSI-së, Meta garantoi gazetarët se “Të jeni të sigurt se METE ka më shumë detyrime se çdo ministri në fushën e integrimit evropian”.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta u shpreh i bindur edhe në punën e qeverisë Berisha duke garantuar se bashkëpunimi me këtë koalicion do të vijojë mbi perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin Meta nënvizoi se Qeveria është e angazhuar të realizojë legjislacionin shqiptar me reformat integruese.
Lidhur me deklaratën e kryeministri grek, Jorgos Papandreu mbi incidentin në Himarë që shënon diskriminimin sipas tij të minoritetit grek në Shqipëri, Meta tha se qeveria do të përmbushë me rigorozitet edhe legjislacionin në të mirë të këtij minoriteti në tokën shqiptare.
mit/NOA