Tiranë, 13 shtator, NOA – Ligji i ndryshuar i Pronave, i cili u kthye edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend nga presidenti Bamir Topi, i ka kaluar sërish legjislativit për miratim.
Ka qenë komisioni parlamentar i Çështjeve Kushtetuese dhe Ligjeve që ka nisur të shqyrtojë sot ligjin e ndryshuar të pronave, anëtarët demokratë të të cilit nuk i kanë marrë fare parasysh rezervat e treguara nga kreu i shtetit brenda tij, duke ia kaluar sërish Kuvendit.
Nga ana e saj, deputetja demokrate Mesila Doda, e cila ka qenë edhe referuesja për ligjin në fjalë, i kërkoi parlamentit që të votojë edhe njëherë ligjin e pandryshuar, pavarësisht se u rrëzua nga kreu i shtetit.
Ajo ka deklaruar se shqetësimet e ngritura nga presidenti i Republikës, Bamir Topi, lidhur me ligjin e pronave nuk qëndrojnë dhe ndaj i ka kërkuar Kuvendit, ta miratojë ligjin ashtu siç është.
E ndërsa presidentit i kanë dalë kundër deputetët demokratë te Ligjet, e kanë mbrojtur atë deputetët socialistë, sipas të cilëve, kreu i shtetit ka të drejtë për shqetësimet që shpreh lidhur me ligjin e ri të pronave.
Duke përmendur moskonsultimin me grupet e interesit, apo cenimin e të drejtës së pronësisë, deputeti Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri deklaruan ndër të tjera se ligji i pronave dhe ligji i investimeve të huaja po përdoren në fakt nga qeveria për të marrë tokat në bregdet.
n.e/NOA