Tiranë, 13 shtator, NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së aktorit Llazi Serbo, i cili u gjet i vetëvrarë sot në mëngjes.
Presidenti Topi në mesazhin e tij të ngushëllimit shprehet se “Në këto çaste të dhimbshme e të rënda, dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të dashur, aktorit të madh e të talentuar, Llazi Serbo”.
Presidenti në njoftimin e publikuar në faqen e presidencës është shprehur se aktori i shquar i Teatrit të Korçës dhe kinematografisë shqiptare, Llazi Serbo, do të mbetet përgjithmonë i skalitur në kujtesën e teleshikuesve dhe artdashësve shqiptarë me talentin e tij të papërsëritshëm aktorial, si dhe me veçantinë e botës së tij të brendshme artistike në portretizimin e rreth njëqind roleve dhe vlerat e rralla njerëzore që rrezatonte.
Kreu i shtetit e ka përmbylluar mesazhin e tij me këto fjalë: “Më lejoni që nëpërmjet këtij mesazhi t’ju gjendem pranë shpirtërisht për të ndarë me ju këto momente të vështira! Ngushëllimet më të sinqerta”.
Aktori Llazi Serbo në karrierën e tij kinematografike është mes emrash të njohur që i kanë dhënë jetë kinemasë sonë dhe teatrit të Korçës, si Aleko Prodani, Violeta Manushi, Vangjel Furxhi e mjaft të tjerë, të cilët kanë dhënë një kontribut të pashlyeshëm në ecurinë e Teatrit të Korçës dhe u bënë më pas figura të patjetërsueshme edhe për ekranin e kinemasë.
I ndjeri Llazi Serbo, është vlerësuar me çmimin “Artist i Merituar”, si dhe ishte Qytetar Nderi i Korçës.
Në karrierën e tij si aktor ai mbetet i paharruar në sytë e shqiptarëve për rolet në filmat “Nusja dhe shtetrrethimi”; “Yjet e netëve të gjata”; “Asgjë nuk harrohet”; “Kush vdes më këmbë”; “Tre njerëz me guna”; “Dasma e shtyrë” (1985); si dhe “Shembja e idhujve”.
mit/NOA