English

PS, Rulit: Në aferën e privatizimit të “Shqipëria sot” e përfshirë edhe Albana Vokshi

Tiranë, 13 shtator, NOA – Ndërsa koalicioni qeveritar miratoi ndryshimet në qeveri të propozuara nga LSI, selia rozë vazhdoi sot akuzat për aferën korruptive me truallin e ish ekspozitës “Shqipëria Sot”, ku opozita shënjestron ish ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, aktualisht në krye të dikasterit të Bujqësisë, se është i përfshirë në aferën korruptive të privatizimit nga njerëzit e Berishës të ish Ekspozitës “Shqipëria sot”.

Nënkryetari i Grupit Kuvendor Socialist, Eduart Shalsi i drejtoi sot ministrit Ruli pyetjen e fundit lidhur me aferën, ku i kërkoi nëse ka rol edhe në këtë privatizim deputetja demokrate, Albana Vokshi.

“Zoti Ruli a është përfshirë në këtë aferë edhe zonja Vokshi? Shqiptarët tashmë janë të qartë dhe po e kuptojnë të vërtetën e madhe, se nga njëra anë shqiptarët e thjeshtë varfërohen përditë, nga ana tjetër familja në pushtet pasurohet përditë dhe se ata që qeverisin jo që nuk e kanë mendjen të punojnë për mirëqenien e shqiptarëve, por me dashje dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë, Kryeministri dhe familja e tij janë angazhuar në një veprimtari të qartë kriminale, që synon t'u vjedhë dhe rrëmbejë shqiptarëve çdo pasuri e pronë publike, duke i varfëruar ata edhe më shumë”, theksoi deputeti Shalsi.

Sipas zotit Shalsi kryeministrit Berisha i është çjerrë maska dhe se shqiptarët po shohin fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, që mbart vetëm një emër, korrupsion.

Në deklaratën e tij për mediat nënkryetari i grupit kuvendor të socialistëve, tha se “Zoti Ruli ka heshtur dhe kjo heshtje është treguesi më i mirë se ish ministri i ekonomisë e ka kuptuar se gënjeshtrat, sajimi i justifikimeve e alibive nuk pinë më ujë, pasi faktet janë kokëforta dhe këto fakte flasin qartë për një aferë korruptive të përmasave të jashtëzakonshme ku është përfshirë zoti Ruli dhe të tjerë njerëz të rrethit të ngushtë familjar e politik të Sali Berishës, emrat e të cilëve së shpejti do t’i bëhen të njohura publikut shqiptar”.

“Zoti Ruli deklaroi se ndërprerja e njëanshme dhe e parakohshme e kontratës me subjektet qiramarrëase në ambientet e ish Ekspozitës ishte e parashikuar në kontratë, por nuk gjeti guximin të shpjegonte se ç’farë interesash fshiheshin pas këtij privatizimi të beftë, të iniciuar nga vetë zoti Ruli”, sqaroi për mediat Shalsi.

Duke iu referuar daljeve publike për këtë çështje të ministrit Ruli, zoti Shalsi nënvizoi se “Zoti Ruli gënjeu publikisht kur deklaroi se trualli i ish Ekspozitës nuk ishte privatizuar, por u ishte kthyer pronarëve, duke mos treguar se 2900 metra katror truall shtetëror, pasuri publike, në fakt ishin shitur nga ministria që ai drejtonte, me bekimin e vetë zotit Ruli, një provë që e dëshmon kontrata e shitjes e publikuar nga Partia Socialiste.

Sipas Shalsit, gënjeshtra më e rëndë e zotit Ruli ishte në lidhje me çmimin e shitjes së truallit të ish Ekspozitës, çmimi i të cilit mbeti i pandryshuar edhe pasi çmimet e gjithë zonave përreth ishin rritur me gati tri herë.

“Zoti Ruli fillimisht gënjeu se trualli ishte dhënë me zero lekë, por më pas kur çmimi qesharak me të cilin ishte privatizuar ish Ekspozita u bë publik, ish ministri i ekonomisë u fsheh e s’gjeti guximin të thotë një fjalë”, kujtoi deputeti i PS-së.

Shalsi vuri në dukje se Partia Socialiste sic i ka përgjigjet e pyetjeve që po i bëhen zotit Ruli, dhe është po ashtu në dijeni të faktit se zoti Ruli nuk është pushtetari i vetëm i përfshirë në këtë aferë.

mit/NOA
KOMENTE