English

Qëlloi me pistoletë në ajër, prangoset 22 vjeçari

Tiranë, 13 shtator, NOA – Policia e kryeqytetit ka arrestuar në flagrancë një person, i cili qëlloi në ajër dhe u përpoq t’i shpëtonte patrullës së policisë.

Burime nga policia e kryeqytetit thanë se shtetasi i prangosur është 22 vjeçari Amarildo Ylli Hila, banues në Tiranë.

Amarildo Hila u arrestua në orën 06.00 të mëngjesit nga oficerët e policisë të Komisariatit nr.1 në kryeqytet, ndërsa kishte shtënë në ajër me armë zjarri të tipit pistoletë pranë shkollës “Mihal Grameno”.

Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 01.30 pas mesnatës së datës 10 shtator.

Pas qëllimit me pistoletë në ajër, 22 vjeçari Hila ka tentuar t’i largohet patrullës së Përgjithshme, duke hedhur tutje armën e zjarrit.

Por, policia e ndodhur pranë vendngjarjes ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale një gëzhojë pistolete si dhe armën pistoletë “TT”, me nr.14078627-66, prodhim i vitit 1967, me 6 fishekë në fole.

mit/NOA
KOMENTE