Tiranë, 13 shtator, NOA Update - Kryeministri Sali Berisha, në përputhje me propozimet zyrtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim për ndryshime në kabinetin qeveritar, ia ka dërguar ato Presidentit të Republikës për t’i marrë në shqyrtim dhe miratuar.
Lajmi është bërë me dijeni nga vetë zëdhënësja për shtyp e kryeministrit, Erla Mëhilli, në një deklaratë për mediat, ku ka theksuar se qeveria i ka propozuar kreut të shteti, së pari “lirimin nga detyra të ministrit të Jashtëm, zotit Ilir Meta dhe emërimin e zotit Meta në detyrën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në qeveri”.
Së dyti, deklarata e qeverisë bën me dije se presidentit iu propozua edhe “lirimi i zotit Edmond Haxhinasto nga detyra e zv/ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe emërimin e tij në detyrën e ministrit të Jashtëm.
Si edhe “lirimin nga detyra i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotit Dritan Prifti”.
“Kryeministri Berisha falënderon zotin Meta për kontributin e tij të vyer, në drejtimin e suksesshëm të Ministrisë së Jashtme dhe diplomacisë shqiptare, si dhe falënderon zotin Prifti për kontributin e tij të çmuar, në udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe reformave të rëndësishme të ndërmarra në këtë fushë”, përfundon deklarata e qeverisë lidhur me ndryshimet në kabinetin qeveritar.
n.e/NOA