Ankara, 13 shtator, NOA – Turqit u kanë thënë “Po” me votën e tyre të djeshme, reformave kushtetuese, përmes pjesëmarrjes në referendumin e zhvilluar dje në vendin e tyre.
Të dhënat paraprake tregojnë sesi 58 përqind të votuesve kanë votuar në favor të reformave kushtetuese në Turqi, të propozuara nga kryeministri Rexhep Tajip Erdogan.
Ky i fundit, i ka mirëpritur rezultatet e referendumit duke thënë se “fitues është demokracia turke”.
Konkretisht, partia islamiko-konservatore e Erdoganit kërkon ndër të tjera që forcat e armatosura të jenë më shumë nën varësinë e drejtësisë civile.
Ndërsa, opozita ka pohuar se të tilla ndryshime mund ta forcojnë partinë e Erdoganit, që e ka origjinën në politikën islamike.
Në referendumin e debatueshëm, ishin parashtruar 26 pika për ndryshime në sistemin e drejtësisë, të cilat mund të çojnë përpara edhe bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kushtetuta në fuqi u ndryshua në fillim të viteve 80-të, në kohën kur ende ishin në pushtet gjeneralët.
n.e/NOA