English

Urgjent – Burri i deputetes Albana Vokshi thirret në Prokurori

Tiranë, 13 Shtator 2010 NOA – Prokuroria thërret për të dhënë sqarime lidhur me akuzat e Partisë Socialiste për afera të dyshuara korruptive, Arian Tartarin, bashkëshorti i deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

Burime nga Prokuroria e Tiranës i thanë agjencisë së lajmeve NOA se Arian Tartari, prej orës 18:00 të mbrëmjes së sotme ndodhet në organin e akuzës së kryeqytetit, duke u marrë në pyetje nga prokurorët Valentin Preçi dhe Ardian Braho.

Partia Socialiste e ka akuzuar deputeten e Partisë Demokratike Albana Vokshi, për korrupsion dhe konflikt interesi duke deklaruar se ajo përveç problemit të mosdeklarimit të pasurisë disa milionë dollarëshe të bashkëjetuesit të saj Arian Tartari, është e zhytur edhe në një konflikt interesi dhe korrupsioni për të përfituar nga pasuria kombëtare.

Partia Socialiste ka kërkuar sot sqarim publik në lidhje me akuzat për afera korruptive të deputetes Albana Vokshi, akuza që sipas opozitës, përfshijnë pushtetin në një rrjet korrupsioni me biznesin.

Ajo akuzohet se kompania që drejtohet nga bashkëjetuesi i saj ka marrë koncesione nga qeveria në kohën që kjo e fundit ishte këshilltare e kryeministrit për Ekonominë, konkretisht, duke i dhënë të drejtën e shfrytëzimit të 4 nga 6 vendburimeve të naftës që ka vendi.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe, ka publikuar një muaj më parë një sërë dokumentesh, të cilat ngrenë dyshime për mënyrën sesi kompania "Stream Oil", ka arritur të përfitojë, duke qenë një kompani pa përvojën e duhur dhe me procedura të falsifikuara.

Sipas tij, "Stream Oil" është favorizuar që nga blerja e 2 milionë aksioneve me vlerë 5 milionë dollarë e deri tek procedurat e kryera nga notere të dala nga studioja e vajzës së kryeministrit, që kanë ndihmuar dhe biznesmenin Damir Fazliç.

“Më datën 15 gusht, pra vetëm 1 javë pasi ka marrë kontratat qeveritare, aksionerët e kësaj kompanie hyjnë në transaksione dhe blejnë 2 milionë aksione të themeluesve të Stream Oil, me një vlerë prej 5 milionë dollarësh”, tha ai.

Braçe ka akuzuar drejtpërdrejt Berishën, se në ndihmë dhe të studios së vajzës së tij ka favorizuar këtë kompani si shumë të tjera në vend. Sipas tij nuk bëhet më fjalë për një aferë korruptive, por për kapje të shtetit nga kryeministri dhe familja e tij.

Nga ana e saj, Vokshi, përsa i përket akuzave në lidhje me kompaninë 'Stream Oil & Gas', Vokshi thekson se "është e turpshme të sulmohet një kompani publike kanadeze, e listuar në bursën e Torontos, që financohet nga disa nga investitorët më të fuqishëm në botë JP Morgan, Haywood etj në fushën e hidrokarbureve, energjisë etj., e që për shkak të seriozitetit të tyre nuk do të pranonin asnjëherë që të bëheshin pjesë e asnjë korrupsioni qeveritar".

e.r/NOA Vijon...

KOMENTE