Prishtinë, 14 shtator, NOA - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i tha BBC-së incidenti i fundjavës në veri të Mitrovicës, mund të ketë lidhje me bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështje të interesit të përbashkët.
Por ai tha se për veriun vlen vetëm plani Ahtisaari dhe se nuk do të ketë bisedime për rregullim e brendshëm të Kosovës.
Zoti Rexhepi tha se kanë filluar hetimet për dhunën e shkaktuar në fundjavë në Mitrovicë, që la pas vetes të paktën 7 persona të lënduar, në mesin e të cilëve edhe një polic të EULEX-it dhe një vendas.
Ai tha se njësitë e policisë nuk kanë përdorur forcën proporcionale ndaj shkaktarëve të trazirave të dhunshme të cilët ende, tha ai, nuk janë kapur.
Mekanizmat ndërkombëtarë, tha ministri, kanë premtuar arrestimin e shkaktarëve të dhunës, të cilët gjatë trazirave kanë përdorur edhe armë zjarri dhe kanë shtënë edhe nga snajperët.
Zoti Rexhepi tha se përgjegjës për rendin dhe ligjin në këtë pjesë të Kosovës janë Policia vendore, EULEX-i dhe KFOR-i dhe theksoi se kushdo që i kundërvihet atyre do të marrë, siç tha, dënimin e merituar.
Sa ka potencial për dhunë në Mitrovicë, marrë parasysh zhvillimet e fundit atje.
Potencial për tensione ka dhe ndonjëherë nevojitet një shkëndijë e vogël që ajo të shpërthejë. Kjo që ndodhi ishte një rastësi, pas ndeshjes së basketbollit.
Të rinjtë serbë e kanë ndjekur ndeshjen në sheshin “Shumadija” dhe kanë qenë të gatshëm që të festojnë por rrjedhat shkuan ndryshe. Të rinjtë shqiptarë e festuan fitoren e Turqisë dhe aty pastaj situate u ndez shumë shpejtë.
Por ne i dërguam njësitë speciale për të parandaluar kontaktin fizik. Të rinjtë shqiptarë iu bindën urdhrave dhe u kthyen dhe pastaj të rinjtë e komunitetit serb, të irituar me humbjen u bënë shumë të dhunshëm.
E patë pastaj se çka ndodhi edhe me policinë e EULEX-it, një i lënduar me armë zjarri dhe kishte edhe përdorim të “koktej molotovit”, granatave të dorës, dhe mendohet se edhe snajperët kanë shtënë në drejtim të policisë.
Tani po shohim skena tjera në veri. Dhunë të përshkallëzuar me armë zjarri dhe përdorim të mjeteve të tjera luftarake. Çfarë keni bërë ju si Polici e Kosovës, si Ministri e Brendshme për të kapur njerëzit që kanë përdorur forma të këtilla tyë dhunës dhe për t’I dërguara ata para drejtësisë?
Ne kemi kërkuar vazhdimisht dhe kemi thënë se ata që janë të dhunshëm duhet të marrin përgjigje me gjuhë proporcionale. Kemi thënë se nëse ata tolerohen do të bëhën gjithnjë më agresiv dhe më të fuqishëm.
Ky ishte një rast tipik i tillë kur nëse nuk përdoret forca proporcionale ata bëhën agresiv. Këtë e ka pranuar edhe vetë shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, i cili tha se nuk janë përdorur mjetet në dispozicion dhe kjo ka rezultuar pastaj edhe me lëndim të policisë së EULEX-it.
Si Polici e Kosovës fillimisht kemi bërë ndarjen e kontaktit fizik dhe më tej me ftesën që i kemi bërë EULEX-it të ndihmojë, misioni e ka marrë përsipër që të mbrohen dhe të parandalojnë lëvizjen e serbëve.
Më tutje Policia e Kosovës nuk është përzier shumë në atë drejtim por bashkërisht me EULEX-in kemi kërkuar që në tri pjesët e ndjeshme; Lagjen e Boshnjakëve, Tre Rrokaqiejt dhe Kodrën e Minatorëve të shtohet prania e policisë për të parandaluar cfarëdo konflikti të përmasave më të mëdha.
Zoti ministër, ditë më parë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë paralajmëruar parandalimin e veprimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut. Marrë parasysh mjetet e përdorura gjatë fund javës, mund të flitet për një përplasje mes Policisë së Kosovës, asaj të EULEX-it në njërën anë dhe të MUP-it serbë në tjetrën?
Pavarësisht nga deklaratat e tyre, policia jonë duhet të kryejë detyrën e saj.
Vetëm Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë institucione të ligjshme për sigurinë dhe vendosjen e rendit dhe të ligjit. Kushdo qoftë që i kundërvihet këtyre tri institucioneve do ta marrë dënimin e merituar.
E kanë marrë dënimin e merituar ata që kanë shkaktuar trazira në fundjavë në Mitrovicë?
Jo nuk e kanë marrë. Tani ka edhe regjistrime, ka dëshimtarë dhe kanë filluar hetimet dhe unë shpresoj se më në fund edhe ndërkombëtarët do të jenë më të vendosur që ata që kanë shkaktuar dhunë të dalin përpara drejtësisë.
Ky ishte edhe premtimi i zotit de Kermbon dhe ne shpresojmë.
Dhe më lejoni t’ju pyes a mund të ketë ndonjë ndërlidhje kjo situatë e përshkallëzuar në veri të Kosovës me bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dhe posaçërisht për veriun e vendit?
Mund të ketë lidhje para bisedimeve të mundshme për interesin e përbashkët ndërmjet dy shteteve të pavarura. Por e përsëris edhe qëndrimin e qeverisë por edhe timin se përveç paketës Ahtisaari ne nuk kemi asnjë gjë tjetër çka të bisedojmë.
Tek e fundit këto janë çështje të brendshme të Kosovës, për të cilat ne nuk do të pranojmë që të bisedojmë. Mund të bisedojmë për bashkëpunim midis dy shteteve por në asnjë mënyrë nuk lejojmë që ata të përzihen në punët tona të brendshme.
BBC