Tiranë, 14 shtator, NOA - Kryeministri Berisha priti sot një grup nga Banka Botërore, të kryesuar nga Jane Armitage, drejtore rajonale, e cila i prezantoi drejtuesen e re të misionit të BB-së në Shqipëri, Kseniya Lvovsky.
Lvovsky ka një eksperiencë të gjatë e të gjerë në Bankën Botërore në mbarë Azinë dhe Europën Lindore, e fokusuar në politika ekonomike, zhvillim infrastrukture, në fushën e ambientit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe në menaxhim të burimeve njerëzore.
Armitage falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin e ngushtë e të frytshëm të qeverisë së tij me Bankën Botërore, në shumë projekte të suksesshme.
Në këtë linjë, edhe përfaqësuesja e re e BB-së do të vazhdojë bashkëpunimin e frytshëm me qeverinë shqiptare.
Kryeministri i uroi Lvovsky mirëseardhjen dhe u shpreh se ishte i gëzuar që Banka Botërore kishte emëruar në këtë pozicion të rëndësishëm një grua me eksperiencë të gjerë e të thellë në fusha shumë të rëndësishme për reformat e qeverisë së tij.
Ai e garantoi Lvovsky se bashkëpunimi dhe mbështetja e qeverisë shqiptare në projektet e filluara dhe në ato të ardhshme do të ishte po aq e përkushtuar dhe e gjerë, si në të shkuarën.
“Qeveria, - tha kryeministri, - është e vendosur që në bashkëpunim me Bankën Botërore të ndërmarrë e të çojë përpara projekte të mëdha, me kontributin edhe të IBRD-së dhe IFC-së”.
Më tej, Berisha tha se ndihet shumë mirë që rezultatet e reformave të qeverisë së tij e kanë renditur Shqipërinë midis vendeve të dala nga varfëria e madhe dhe e kanë futur midis vendeve të bashkëpunimit nëpërmjet huave të buta dhe pjesëmarrjes më të gjerë të institucioneve të tjera financiare.
Sipas tij, që nga muaji korrik, Banka Botërore e ka klasifikuar Shqipërinë si vend me të ardhura të mesme të larta, pra, jo më përfituese e fondit AIDA dhe kjo na impenjon që në strategjinë e re të partneritetit, qeveria shqiptare të fokusohet më shumë në projekte shumëpalëshe, ku rritet kontributi i IBRD-së dhe IFC-së.
n.e/NOA