English

Drejt produktivitetit studentor…

Objektivat janë më kërkuese, të cilat aspirojnë në ndërtimin e marrëdhënieve më vitale pedagog-student, student-student, si dhe në krijimin e hapësirave të ndryshme për t’i dhënë gjallëri më të madhe energjive studentore, duke mos i lënë këto të fundit që të mbesin të “ndryshkura” në thellësinë e personalitetit të studentit, por duke i vendosur në lëvizje të vazhdueshme për rritjen e kavitetit, por edhe dinjitetit e përgjegjësisë shoqërore në mjedisin ku jetojmë, studiojmë dhe punojmë

Redan Bushati

Jeta është plot gjallëri, plot dinjitet, e mbushur me shumëllojshmëri virtytesh e vlerash, anekënd auditorëve me shprehje filozofike, ecejake nëpër korridore, mbrëmje të mahnitshme, studime me “batica-zbatica” të theksueshme…fundja, me pak fjalë “jetë” studentore…

Dikur… Edhe pse kjo “dikur” jo edhe aq e largët, pamja ishte krejt ndryshe në krahasim me sot. Ajo të servirte një panoramë të mbushur me godina të zymta, salla me mbishkrime vulgare, studenta-parazitë në një numër relativisht të lartë, abuzime të shumta me detyrën, ndrydhje e studentit në botën e tij, shfaqje e gjesteve rrugaçërie, pedagogë që nuk kishin se çfarë të ofronin. E thënë ndryshe një “jetë” e rëndomtë universitare.

Sot… Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (nuk mund të themi) se ka ndryshuar rrënjësisht gjithçka, porse “jeta” studentore ka filluar të mbijë, të lulëzojë, ka filluar të marrë frymë, ka filluar të jetojë jetën e saj. Krijimi i strukturave studentore me studentë, të cilët janë produktiv në mësimet e tyre, janë aktiv në jetën sociale që zhvillojnë dhe që aspirojnë për një fuqi të madhe studentore po japin një kontribut të çmueshëm në rritjen e vlerave dhe kapaciteteve shoqërore në këtë Universitet. Kjo do të thotë që me angazhimin studentor Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka bërë shumë hapa përpara në marshimin e saj përkrah Universiteteve të tjera në vendin tonë me potenciale të larta nga cilësia dhe sasia e pranimeve të studimeve të larta në këtë institucion. Kjo (sigurisht) vjen si rezultat shumëfaktorial, por një ndër më substancialët është ai i rritjes së kapaciteteve dinjitoze studentore.

Në sezonin e kaluar akademik në USH-në “Luigj Gurakuqi” u riaktivizua Këshilli Studentor i këtij Universiteti, i cili do merrte jetë me 31 prill 2010. Ky është një organizim i pavarur i studentëve, i cili nuk zhvillon veprimtari politike dhe ekonomike. Ky Këshill Studentor promovon pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinon përfaqësimin e tyre për organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve, i cili arriti në shumë pak kohë të bëjë një audience të madhe për vete duke realizuar një transparencë dhe informim me plot dinjitet të studentëve dhe publikut të gjerë, veçmas atij në qytetin e Shkodrës aty ku shtrihet edhe jeta studentore e këtij Universiteti. Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës shpreh mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucionit të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, propozimin dhe sugjerimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sociale, humane, sportive etj. Në çdo nga të gjashtë Fakultetet që ka Universiteti i Shkodrës, secili ka pesë përfaqësues nga K.S.U.SH-ja, të cilët kanë përgjegjësi shoqëroro-individuale, por edhe institucionale (me K.S.U.SH-në) për të qenë sa më pranë studentëve dhe të mundohen të krijojnë një klimë sa më pozitive, me qëllimin e vetëm që të përmirësojmë më tutje imazhin e USH-së.

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (shkurt K.S.U.SH) ka krijuar një klimë të besueshme tek studentët, ku këto të fundit me dëshirën dhe përkushtimin maksimal janë bashkangjitur faqeve tona në internet, duke besuar në mundësitë tona për dhënien e informacioneve të ndryshme në lidhje me botën akademike që aplikohet në këtë Universitet. Gjithashtu, ky Këshill Studentor dita-ditës po krijon bashkëpunime me Këshillat Studentore në Universitetet e tjera të Shqipërisë, duke dhënë mesazhin e qartë që NE funksionojmë dhe kemi kapacitete të bollshme për të dhënë modelin tonë të realizimit të një produktiviteti sa më të lartë studentor, me qëllimin e rritjes së vlerave dhe nismave studentore. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet nxitja e vënies në përdorim të energjive studentore në realizimin e nismave, projekteve, ideve, aktiviteteve social-kulturore, rritjen e shërbimeve humane, zhvillimin e burimeve intelektuale-shoqërore etj etj…

Këtë vit akademik kuotat e pranimit në USH-në “Luigj Gurakuqi” janë rritur me 11% dhe data 11 tetor do shënojë siparin e sezonit akademik 2010-2011, ku edhe objektivat e K.S.U.SH-së janë më kërkuese, të cilat aspirojnë në ndërtimin e marrëdhënieve më vitale pedagog-student, student-student, si dhe në krijimin e hapësirave të ndryshme për t’i dhënë gjallëri më të madhe energjive studentore, duke mos i lënë këto të fundit që të mbesin të “ndryshkura” në thellësinë e personalitetit të studentit, por duke i vendosur në lëvizje të vazhdueshme për rritjen e kavitetit, por edhe dinjitetit e përgjegjësisë shoqërore në mjedisin ku jetojmë, studiojmë dhe punojmë. Gjithashtu, ky vit akademik do shënojë edhe një risi tjetër të re, ku studentët do munden të informohen në kohë për problematika të ndryshme si në faqen e internetit të USH-së “Luigj Gurakuqi”, faqen e Facebook dhe të grupit të Këshillit Studentor (keshillistudentor@hotmail.com), por edhe në gazetën Studenti, e cila do të dalë në treg këtë vit me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Çdo student është i ftuar të komunikojë hapur me Këshillin Studentor, duke besuar që fjala e tij do mund të shkojë atje ku duhet. Sigurisht, duke pasur çdo Fakultet përfaqësuesit e tyre edhe angazhimi i mekanizmave studentore drejt efikasitetit do jetë shumë më i lartë.

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (shkurt K.S.U.SH) së shpejti do fillojë me aktivitetet e saja, ku kontributi i secilit do evidentohet në rritjen e cilësisë dhe frymës studentore. Frymëmarrja jonë shtohet dita-ditës duke predominuar një vullnet i hekurt në realizimin e aspiratave që NE i kemi vënë vetes, duke u bërë faktor kyç në mobilizimin e të rinjve-studentë drejt dyerve të USH-së “Luigj Gurakuqi”. Besimi dhe frekuentimi i këtij Universiteti po rritet nga viti në vit duke dhënë një mesazh të qartë që jeta studentore është funksionale dhe atributet kryesore, veçmas funksionimit zyrtarë të institucionit në fjalë, i shkojnë edhe Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës

KOMENTE