Athinë, 14 shtator, NOA – Ngjarja e Himarës e një muaji më parë, ku një përfaqësues i minoritetit grek mbeti i vrarë, ka qenë në qendër të një takimi të posaçëm që kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kryetari i Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek (OMONIA) Vasil Bollano, zhvilluan sot në Athinë me kryeministrin e shtetit grek, Jorgos Papandreu.
Lajmi i bërë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të PBDNJ-së, konfirmon gjithashtu se dyshja Dule-Bollano gjatë vizitës në Athinë është takuar edhe me kryetarin e parlamentit grek, Pecalnikos; ministrin e Jashtëm, Dhrucas; nënkryetarin e Partisë Demokracia e Re, Avramopullos dhe sekretarin e Përgjithshëm të kësaj partie, Likurenxos.
Bëhet me dijeni se gjatë këtyre takimeve u fol për respektimin e minoritetit dhe i të gjitha të drejtave individuale dhe kolektive që i përkasin minoritetit etnik grek në Shqipëri, si pjesë përbërëse e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.
Ndërkaq, në diskutime u fol për marrëdhëniet midis dy vendeve si edhe për mbështetjen sistematike të shtetit grek në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një vend të veçantë në të gjitha takimet zuri ngjarja e rëndë e vrasjes së të riut Aristotelis Gumas, muajin e kaluar në Himarë.
n.e/NOA