English

Evropianët, vlerësime të forta ministrit Basha për kriteret e heqjes së vizave

Bruksel, 15 Shtator 2010 NOA - Përfaqësues të Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Europian përgëzuan Ministrin e Brendshëm z.Lulzim Basha për vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian mbi përmbushjen nga Shqipëria edhe të tre kritereve shtesë të paraqitura në Maj 2010, krahas propozimit për heqjen e vizave Shengen për qytetarët shqiptarë.

Ministri Basha u takua në Bruksel me raporteren e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave Znj. Tania Fajon, me Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Komisionin Europian Z. Luigi Soreca dhe me Shefin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE z. Jonas Jonson.

Temat kryesore të bisedimeve në këto takime ishin vazhdimi nga Shqipëria i axhendës së reformave dhe ecuria e kalendarit të vendimmarrjes nga institucionet e Bashkimit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ministri Basha u deklaroi bashkëbiseduesve se zbatimi i standardeve dhe praktikave më të mira europiane në të gjitha fushat, lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e po ashtu gjurmimi dhe sekuestrimi i aseteve kriminale, janë dhe mbeten prioritet i qeverisë shqiptare në tërësi dhe agjencive ligjzbatuese në veçanti.

Komiteti për Çështjet e Brendshme dhe Liritë Civile të Parlamentit Europian do të marrë në shqyrtim më 27 Shtator raportin final të paraqitur nga Komisioni Europian së bashku me rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

Në javën e parë të muajit Tetor Parlamenti Europian do të shprehë qëndrimin e tij në seancë plenare, ndërkohë vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë pritet të merret në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian më 8-9 Nëntor 2010.

e.r/NOA

KOMENTE