Vizitë zyrtare e ish-Guvernatorit të Bankës së Zvicrës
Tiranë, 15 shtator 2010 NOA - Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, ish-Guvernatori i Bankës Kombëtare të Zvicrës, z. Jean-Pierre Roth zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në kuadër të vizitës zyrtare, Roth mbajti një leksion me temë Zvicra: “Shteti i vogël, ishull i parasë”. Leksioni u zhvillua në hollin e Bankës së Shqipërisë, ku merrnin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, e drejtues të bankave tregtare.
Në leksionin e tij z. Roth foli mbi ecurinë e ekonomisë së Zvicrës. Edhe pse është thuajse në qendër të Evropës gjeografikisht, Zvicra ka ruajtur monedhën e saj dhe pavarësinë e normave të interesit. Zvicra ka mjedis të qëndrueshëm e të sigurt ku sektori bankar ka mundur të lulëzojë.
Duke falënderuar z. Roth për prezantimin e shkëlqyer, Guvernatori Fullani vlerësoi ekonominë zvicerane të jashtëzakonshme, e cila ndër vite ka arritur të ndërtojë një stabilitet të admirueshëm. Pavarësisht se mund të duket e largët, eksperienca zviceriane është një model i suksesshëm i cili duhet ndjekur nga ekonomitë e vogla që aspirojnë të jene të orientuara drejt eksporteve.
Banka Kombëtare Zvicerane shërben si banka qendrore e vendit, ajo është themeluar që në 1907.
Fillimi i punës së z. Jean-Pierre Roth në Bankën Kombëtare të Zvicrës i takon vitit 1979. Prej një periudhë 15 vjeçare z. Roth ka punuar në sektorë të ndryshëm të degëve të Bankës Kombëtare të Zvicrës në Bernë dhe Zyrih.
Nga 1 Janari 2001, z. Roth u emërua kryetar Bordit drejtues dhe drejtues i Departamentit kryesor të Bankës Kombëtare të Zvicrës (përkatësisht përfshinte: Divizionin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Divizionin ekonomik, ligjor dhe administrativ) në Zyrih. Gjithashtu z. Roth ka qenë Guvernator i Bankës Kombëtare të Zvicrës pranë FMN-së. Në 1 mars të vitit 2006, z. Roth emërohet kryetar i Bordit drejtues i Bankës për Rregullime Ndërkombëtare në Bazel për një periudhë 3-vjeçare.
e.r/NOA