Tiranë, 14 shtator, NOA –Prokuroria përveçse korrupsionit të politikanëve me koncesionet, duhet të fillojë hetimet edhe atë që është kryer deri tani me pronat, në kurrish të kategorisë së ish-pronarëve.
Kjo është kërkesa publike, që përmes një letre, kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, Rrapo Danushi, ia ka drejtuar kryeprokurores Ina Rama, duke i nënvizuar brenda saj se “tregues i pakundërshtueshëm i punës së dobët të prokurorisë është situata e korupsionit me pronat, veçanërisht në qarkun e Vlorës”.
“Për këtë situatë tejet të rëndë, unë ju kam vënë në dijeni zonja Prokurore e Përgjithshme, por ju nuk më jeni përgjigjur”, parashtron shqetësimin e tij Danushi.
Duke shtuar më pas se prokurorët e Vlorës kanë tendencën të mos marrin në konsideratë ankimet e drejta dhe t’i pushojnë hetimet për ankimet e të shpronësuarve nga diktatura. “Meqenëse në Qarkun e Vlorës anarkia e pronës është më e theksuar se kudo, sepse Kushtetuta dhe ligji që ia kthen pronën pronarit shkelet me të dy këmbët nga korrupsioni që ka molepsur zyrtarët, gjyqtarët dhe prokurorët”, parashtron përfaqësuesi i ish-pronarëve.
Për të kërkuar më pas nga prokurorja e përgjithshme që të bëjë publik bilancin e punës së prokurorisë Vlorë, se sa është numri i ankimeve penale për probleme prone që kanë bërë pronarët e shpronësuar, sa është numri i hetimve të pushuara, cilët janë prokurorët që i kanë pushuar çështjet, sa është numri i hetimeve të nisura kryesisht nga prokuroria e Vlorës dhe sa është numri i të ndëshkuarve për korrupsion me pronat.
“Ndjej detyrim moral të pohoj se ka edhe punonjës të ndershëm”, pohon mes të tjerash në letrën e tij Danushi.
Për të mos harruar as faktin se vlen të lavdërohet edhe njësia e përbashkët hetimore e task-forcës së prokurorisë.
“Eshtë në tagrin e Prokurores së Përgjithshme dhe detyrim moral dhe profesional i që të bëheni avangarda e luftës kundër krimit të organizuar me pronën që nuk po u kthehet subjekteve të shpronësuar. Prandaj në të mirë të punës tuaj dhe të rivendosjes së drejtësisë duhet të urdhëroni: rihapjen dhe rivlerësimin e të gjitha vendimeve për pushim të hetimeve që prokurorët kanë dhënë për kllzimet penale të të shpronësuarve, për pushtim toke, pengim në ekzekutim të vendimeve të gjykatës”, përfundon letra e të ish-shpronësuarve.
Për të konkluduar se “në të kundërt, ky proces që keni filluar është një lojë e sajuar midis qeverisë dhe prokurorisë për të mashtruar opinionin se gjoja prokuroria lufton korupsionin, kur në fakt korrupsioni mbrohet”.
n.e/NOA