Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot Projektligjin “Për ratifkimin e Shtesës së Kontratës Konçensionare “Për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve.
Zv/Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e komisionit me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas të cilit parashikohet hapja e zyrave të pajisjes me dokumente identiteti (letërnjoftim dhe pasaportë biometrike), pranë zyrave konsullore shqiptare në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano.
Mësohet se konform kërkesës së parefuzuar të kompanisë koncesionare, pasaportat e reja biometrike do shiten për emigrantët në Itali dhe Greqi me vlerën totale 90 euro me TVSH, ku 85 euro është tarifë për pasaportën dhe 5 euro komision i ambasadës.
Sakaq një kartë e re identiteti do të shitet 10 euro. Dihet se askush s’mund të pajiset me pasaportë biometrike nëse nuk ka marrë më parë ose njëkohësisht edhe kartën e identitetit.
Përsa i përket shërbimit të pajisjes me dokumente identiteti në Përfaqësitë Diplomatike Shqiptare parashikohet që të ketë 600 aplikime në ditë.
Koncepti i këtij shërbimi është që punonjësit e autorizuar të ambasadës do të jenë ata që do të përdoren për proceset e aplikimit, certifikimit të të dhënave dhe shpërndarjes së dokumenteve. Ndërsa trajnimi, shërbimi dhe supervizimi do të ofrohen nga Aleat sh.p.k.
Hapja e këtyre zyrave, tha zv/Ministri i Brendshëm, do të krijojë lehtësira për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi për tu pajisur me këto dokumente identiteti. Ai theksoi gjithashtu se shtesa e kësaj kontrate vjen si domosdoshmëri për rritjen e standardeve në procesin liberalizues, për shkak të rritjes së interesit të qytetarëve për pasaportat biometrike edhe në kuadër të liberalizimit të vizave etj.
Po ashtu, shtesa në kontratën e miratuar synon rritjen e kapacitetit prodhues për pasaportat biometrike deri në 6 mijë pasaporta në ditë, pajisjen me dokumente identiteti për shtetasit shqiptarë që jetojnë në emigracion, refugjatët, si dhe parashikon procedurat e pajisjes së përshpejtuar me dokumente identiteti për rastet emergjente.
Anëtarët e komisionit vlerësuan këtë nismë e cila vjen në ndihmë të emigrantëve shqiptarë në kuadër të procesit të pajisjes së tyre me dokumente identiteti, ndërsa deputetët e opozitës vunë theksin tek disa paqartësira të projektligjit ndaj dhe gjatë votimit të tij abstenuan.
e.r/NOA