Tiranë, 14 shtator, NOA – Një ditë pas kërkesës së LSI-së për largimin e ministrit të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës, Dritan Prifti, ky i fundit në një konferencë për mediat ka sqaruar arsyet e largimit të tij nga kjo detyrë, që sipas ministrit Prifti, erdhi pas presionit që i është bërë kryeministrit për këtë post qeveritar, nga zëvendëskryeministri dhe Lideri i LSi-së, Ilir Meta.
Ministri i Ekonomisë, deklaroi se ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme, duke theksuar edhe atë që kryeministri Berisha kishte thënë dje pas vendimit të LSI-së, se Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe aleati i tij kryesor në qeveri kishte gjashtë muaj që i kërkonte largimin e vet nga posti i shefit të diplomacisë, me arsyen se kërkonte të ishte më afër LSI-së, dhe se detyra aktuale nuk i jepte kohë të ishte pranë strukturave drejtuese për shka të axhendës së ngjeshur ndërkombëtare.
Duke iu referuar kërkesës për largimin e tij nga kabineti qeveritar, ministri Prifti deklaroi qejfmbetjen e tij për këtë vendim të marrë nga kryesia e LSI-së, që sipas deklaratave të priftit la të kuptohej se nuk ishte edhe aq unanim sikundër u reklamua, porse ishte një presion i bërë nga emra të caktuar në LSI, kundër të shprehur kundër zotit Prifti.
Ai shprehu pakënaqësinë se ky vendim u mor në mungesë të tij, ndërsa vetë ministri Prifti, nënkryetar i LSI-së, i kishte kërkuar kryesisë të mos mblidhej dje, pasi ai kishte një problem familjar, gjë që nuk u mor parasysh nga kryesia e partisë.
Në këtë kontekst, Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, tashmë vetëm deputet i LSI-së në parlament siguroi se në ditët e ardhshme do të takohej me kreun e LSI-së, Ilir Meta, tashmë edhe ministër i Ekonomisë i dekretuar nga Presidenti i Republikës, ku sipas Priftit do të diskutojë për arsyet e vërteta të largimit të tij nga kabineti qeveritar, për të cilin Prifti pohoi se ka punuar me korrektesë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Ministri i Ekonomisë shprehu në krye të deklaratës së tij shprehu edhe mirënjohjen për kryeministrin Sali Berisha dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që i dhënë mundësinë të drejtonte për një vit të tërë dikasterin e rëndësishëm të Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës.
Në deklaratën e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti edhe pse jo drejtpërdrejt, u kuptua qartë se vendimi për largimin e tij nga posti i ministrit dhe ofrimit për këtë portofol qeveritar të vetë liderit të LSI-së, dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ishte një vendim jo unanim i kryesisë sikundër u reklamua dje nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, por një vendim i përfolur prej kohësh brenda LSI-së, që thekson një konflikt të disa anëtarëve të saj me zotin Prifti.
Megjithatë, zoti Prifti ka garantuar se tani e tutje do të jetë edhe më aktiv në politikë si deputeti i LSI-së në Parlament, duke lënë të kuptohet se ai nuk do ta lërë me kaq këtë çështje.
Prifti ishte anëtari i parë i LSI-së që deklaroi pas zgjedhjeve të 28 qershorit se do të bashkohej me mazhorancën e djathtë.
Madje në një deklaratë të tij të dhënë pas fitores së zgjedhjeve nga Berisha, ai deklaroi arsyet se pse mandatet e LSI-së ishin të artë të qeverinë e ardhshme Berisha.
Koalicioni i papritur mes Berishës dhe Metës solli edhe qeverinë e koalicionit të sotëm, ku LSI mban plot tre portofole ministrash, atë të Ekonomisë, të Punëve të Jashtme dhe të Shëndetësisë si dhe postin e zëvendëskryeministrit, nga kreu i LSI-së, Ilir Meta....
-Deklarata e plotë e ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti:
Siç është bërë e ditur nga media, kryesia e LSI i kërkoi Kryeministrit Berisha ndryshime në qeveri, duke propozuar që Z. Ilir Meta të vijë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Me këtë rast, për t‘i hapur rrugën këtij ndryshimi dhe dekretimit nga Presidenti, unë i kam komunikuar që dje dorëheqjen time Z. Sali Berisha, duke e falënderuar njëherësh për bashkëpunimin që kemi patur për një vit në qeverinë e tij. I jam mirënjohës Z. Berisha dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që më dhanë mundësinë të shërbej në qeveri si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ka qenë për mua një mundësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë dhe kontribuar për reformat dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Siç u shpreh Z. Berisha dje, arritjet dhe reformat në METE në vitin e fundit kanë qenë të mëdha. Ekonomia i ka rezistuar krizës globale dhe ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të jetesës së shqiptarëve. Vjet Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, kur BE pati rritje negative mesatarisht -4%. Janë në proces mbi 40 koncesione të reja të inicuara vetëm këtë vit. Privatizimet janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë dhe po përfundon një ëebsite i ri, për një transparencë të munguar mbi privatizimet. Përballuam me sukses krizën më të rëndë hidrike që vendi ka kaluar në 100 vjet, duke garantuar funksionimin në eficencë dhe pa asnjë difekt të sistemit energjetik. Sollëm në përfundim linjën e interkonjeksionit 400 kv me Malin e Zi dhe siguruam financimin për linjën 400 kv me Kosovën.
Eksportet janë rritur, ndërkohë që bie në sy një dyfishim i eksporteve minerale kur çmimet e tregut botëror për mineralet janë në rënie. Transparenca, konkurenca dhe drejtësia në dhënien e lejeve minerale kanë dhënë këto rezultate pozitive. Kuadri ligjor i koncesioneve ka pësuar ndryshime të ndjeshme për të rritur konkurencën dhe lehtësuar biznesin.
Është plotësuar kuadri ligjor për gazifikimin e vendit. Është plotësuar kuadri ligjor për infrastrukturën e cilësisë dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ligji i ri minerar i aprovuar pak javë më parë ka sjellë një ndryshim rrënjësor në trajtimin e lejeve minerale, duke garantuar respektin ndaj ambientit, mbështetur pushtetin vendor dhe futur konkurencën për çdo leje, kur më parë jepeshin pa tender dhe vetëm me aplikim.
U aprovuan 68 akte ligjore në vetëm 1 vit. Ndërmarrjet publike kanë dalë me fitim dhe përmirësuar ndjeshëm pozitat financiare. Prodhimi energjisë dhe i naftës kanë arritur rekorde të pakapura më parë gjatë viteve të demokracisë. Janë në përfundim proceset e privatizimit të Albpetrol, Albtelekom dhe po ecën mirë studimi ambiental për Porto Romanon, për ta bërë atë parkun energjetik më të madh në vend dhe rajon. Ka filluar konsulenca ndërkombëtare për hapjen e tenderit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosë dhe është fiksuar nga specialistët skema e shfrytëzimit të Skavicës.
Ministri i ri do të shohë se Shqipëria citohet si shembull në botë për zbatimin e detyrimeve dhe marrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë apo CEFTA. Do shohë si ka ecur reforma në sistemin e inspektimit, si po ristrukturohet mbas një ligji të ri Albinvest, si janë shndërruar në kampionë të ndihmës ndaj biznesit me një eficencë maksimale QKR dhe QKL.
Linjat e kreditimit të SME dhe paketat mbështetëse për biznesin janë mundësi reale dhe e prekshme për ata që kanë ide dhe plane biznesi në fushën e prodhimit dhe punësimit. Ministria me strukturën e re të aprovuar është bërë me eficente për t‘i shërbyer qytetarit, biznesit dhe ekonomisë së vendit.
Mbi të gjitha, METE u angazhua me sukses të plotë në përgjigjet e rreth gjysmës së pyetjeve të pyetësorit të Bashkimit Europian, që i ka hapur tani rrugën plotësisht integrimit tonë në BE. Për të gjitha këto punë të bëra falënderoj gjithë bashkëpunëtorët e mi, gjithë stafin e METE.
Unë u përpoqa të bëja më të mirën. Kam dhënë maksimumin tim pavarësisht se kam punuar në një ngarkesë maksimale, me presione nga të gjitha llojet, përfshirë dhe kërcënime për jetën dhe familjen, të cilën e kam denoncuar në Prokurori disa ditë më parë. Kam kaluar mijëra faqe dokumente në ditë dhe kam hedhur qindra firma. Edhe kryeministri deklaroi dje se ka pasur mbi 6 muaj kërkesë për të liruar vendin tim si ministër.
Kur presioni për detyrën time është bërë edhe mbi kryeministrin, imagjinojeni presionin që është bërë mbi mua. Por presionin e kam përballuar me sukses. Nuk kam bërë asgjë që nuk e lejonte ligji. Për fat të mirë, nuk jam kritikuar nga pozita apo opozita për asnjë firmë që kam hedhur.
Opozita më ka sulmuar vetëm për një deklarim pasurie, që unë e deklarova vet, dhe disa aksione që kam shitur kur u bëra ministër, për të qenë korrekt me ligjin e konfliktit të interesit. Nuk jam kritikuar për asnjë ditë të punës sime si ministër. Sigurisht që njeriu në punë, kur ka shumë ngarkesë, dhe mund të gaboj. Por ju garantoj se kam bërë maksimumin për të qenë korrekt me ligjin dhe për t‘i shërbyer publikut.
Unë do të vazhdoj të shërbej në Parlament. Unë e dua Shqipërinë me gjithë zemër. Kam mbaruar shkollimin në Amerikë nga viti 1993 deri në 1996 dhe jam kthyer në Shqipëri atëherë kur të gjithë largoheshin për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Unë isha i diplomuari i vetëm që kthehesha nga Amerika për të punuar në administratë publike. Shkova përsëri me studime në Amerikë në 1999-2000 dhe përseri u ktheva të shërbej në Shqipëri. Pavarësisht këtij përkushtimi dhe këtyre sakrificave, shpesh kam qenë i sulmuar politikisht, sepse nuk u bëra kurrë vegël e askujt, as dje dhe as sot.
Nëse dikush mendon se me largimin tim nga ministër unë u dekurajova dhe u thyeva në shpirt, unë i përgjigjem me sinqeritet: “Do jem dhe me aktiv se më parë në politikë”.
Unë do vazhdoj të shërbej në Parlament, do vazhdoj t’i rri pranë elektoratit tim që me ka votuar me shumicë edhe pse nga një parti e vogël. Do të qëndroj në mbështetje të koalicionit qeverisës.
Kur vendosa të bashkoja votën time të majtë me Sali Berishen afro 1 vit më parë, mendova vetëm për integrimin e vendit, për të kontribuar për heqjen e vizave të shqiptarëve dhe zhvillimin tonë më të shpejtë. Tani jemi shumë pranë, vetëm disa javë larg vendimit historik të Europës, dhe asnjë arsye dhe asnjë interes i ngushtë nuk mund ta prishë këtë.
Dikush sot mund të jetë i zhgënjyer me deklaratën time sepse nuk është bombastike, siç i kam bërë unë ndonjëherë. Por për mua sot ka më shumë arsye të kontribuoj për ndërtimin dhe jo shkatërrimin e qeverisjes.
Jam i kënaqur që pas kësaj do kem më shumë kohë të qëndroj me fëmijët e mi. Vajzën time 5 muajshe e lë në gjumë në mëngjes dhe e gjej në gjumë në darkë. Kam nevojë për pushim dhe ç’lodhje, dhe më shumë kohë me familjen.
I uroj suksese Ministrit të ri në detyrën e re për të mirën e vendit tonë.
Unë doja që të përqendroheshim vetëm te deklarata dhe të mos kishte pyetje, por duke qenë se ju e bëtë pyetjen, unë po i kthej përgjigje. Unë jam nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe jam themelues i kësaj force politike. Sigurisht që, për të qenë i sinqert me ju, ka disa gjëra që nuk më pëlqyen.
Nuk më pëlqeu që kur unë dje varrosja gjyshen time, kryesia e LSI nuk priti që unë të isha i pranishëm në mbledhjen që diskutoheshin këto gjëra. Jo se do të ndryshonte diçka, por është thjesht njerëzore. Unë kërkova shtyrjen e mbledhjes, ndoshta për në darkë, pas varrimit, por kjo nuk u realizua. Këtu e kam një qejf mbetje. Dje gjatë mbledhjes së Kryesisë së LSI zoti Luan Rama që është dhe sekretar i Përgjithshëm ka bërë disa deklarata që, do ta shohim ne se si do të përfundojë hetimi i pasurisë së zotit Priftit, që më bën mua që të kuptoj se ndoshta ka një nxitje dhe nga partia ime.
Dje në mbledhjen e Kryesisë, zoti Spartak Braho, s‘dua të bëj komente për të si prokuror i kohës së Enverit, etj, apo si njeri që ditën e votimit, në zgjedhjet e kaluara, mbylli celularin dhe u zhduk katër ditë, dhe i shiti votat në Lushnje, ka thënë që klani i Priftit në LSI është shumë i madh dhe ne duhet ta çrrënjosim. Këto gjëra unë nuk i marr si deklarata të LSI, apo si qëndrime të LSI apo të Kryesisë. Këto janë qëndrime personale të disa individëve.
Unë dëshiroj të vazhdoj të kontribuoj në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Sigurisht në ditët e ardhshme, sot, nesër, do t’i kërkoj një takim zotit Meta, ku ne të diskutojmë me njëri-tjetrin. Ai të më thotë çfarë mendimi ka për të ardhmen dhe unë të diskutoj se si mundet të strukturohet një e ardhme e përbashkët më tej. Besoj se jam i përgjigjur pyetjes suaj. Unë ju bëj një gjë të qartë.
Unë jam në Parlament sot me votat e mia. Unë kam ardhur në Parlament kur u krijua LSI-ja në vitin 2005 me votat e mia, nga një parti e vogël, e sapo krijuar. Unë kam qenë në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim të 2005-ës, kur ishte sistem tjetër zgjedhor, deputeti më i votuar në Shqipëri dhe hyra në Parlament.
Kam fituar në këto zgjedhje me votat e mia. Pra, unë jam një njeri i votuar që kam 9 vjet në parlament, të gjithë njerëzit më njohin dhe besoj se kam mbështetje. Për hir të së vërtetës, nuk kam asnjë merak për të ardhmen time politike, sepse alternativat janë të gjitha përpara.
mit/NOA