English

Mediu: Është në proces drafti i ligjit për menaxhimin e ujërave

Tiranë, 14 shtator, NOA – Në prezantimin e projektit rajonal të ujërave, “Living Water Exchange”, ministri i Mjedisit, pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu tha se Ministria e Mjedisit, ka marrë disa iniciativa me partnerët ndërkombëtarë me qëllim arritjen e një menaxhimi të integruar të rezervave ujore dhe harmonizimin e legjislacionit tonë me legjislacionin përkatës të BE-së.

“Mbrojtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve ujore për Shqipërinë përbën një prioritet të politikave të Ministrisë së Mjedisit”, tha në këtë takim ministri Mediu.

Duke theksuar vlerën e ujin, si një nga burimet më të rëndësishme në jetën dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit, ministri i Mjedisit nënvizoi se vizioni politik i qeverisë është hartimi i programit të veprimeve në këtë fushë, që synojnë një mirëmenaxhim, shfrytëzim sa më racional të burimeve ujore, për të siguruar një efiçencë në zbatimin e praktikave më të mira për trajtimin e ujërave të ndotur.

Zoti Mediu bëri me dije se është në proces hartimi i draftit të ligjit për menaxhimin e ujërave.

Ky projektligj parashikon plotësisht Direktivën Kuadër të Ujërave, mbrojtjen e ujërave nëntokësore nga ndotja dhe përkeqësimi, si dhe vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga përmbytjet.

Sipas ministrit Mediu shkarkimi i ujërave urbane të papërpunuara, i ujërave të patrajtuara të aktiviteteve të ndryshme tregtare, industriale dhe bujqësore si dhe i depozitimit të mbetjeve të ngurta urbane në afërsi të lumenjve, janë burimi kryesor i ndotjes së ujërave sipërfaqësorë.

“Kjo përben një ndër problemet më të mprehta mjedisore për vendin tonë”, theksoi më tej zoti Mediu, duke siguruar se është e domosdoshme marrja e masave për trajtimin e ujërave para se ato të shkarkohen në mjedis.

Por, lidhur me mbrojtjen e cilësisë së ujërave, ministri Mediu thekson se duhen rritur investimet për mbrojtjen e mjedisit, e sidomos në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në gjithë vendin, e me përparësi në zonat turistike të vendit.

Ministri Fatmir Mediu pohoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të fokusohet pikërisht në projekte, që lidhen me trajtimin e ujërave të ndotura dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të tyre.

Sipas zotit Mediu, pritet të përfundojnë në një afat të shkurtër ndërtimi i impianteve të përpunimit të ujërave të zeza për gjysmën e popullsisë në vend, për të cilat janë nënshkruar marrëveshje me rreth 110 milion euro me donatorët përkatës.

Janë në ndërtim, konfirmoi mediu zgjerimi i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza në plazhin e Kavajës, në Durrës, Shëngjin, Sarandë, Vlorë, Korçë, Tiranë etj.

mit/NOA
KOMENTE