English

Përfaqësuesja Shqiptare merr pjesë në Lojërat Olimpike Speciale Ndërkombëtare

Tiranë, 14 Shtator 2010 NOA - Në ambientet e Presidencës u zhvillua ceremonia e nisjes së ekipit Shqiptar në Lojrat Olimpike Speciale Ndërkombëtare që do të zhvillohen në Varshavë të Polonisë më 18-24 Shtator.

Këtë vit, fituesit e Lojërave Olimpike Speciale që u mbajtën në Tiranë në Qershor do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në rang ndërkombëtar.

Të shoqëruar nga përfaqësues të Fondacionit Vodafone Albania, Olimpikut Kombëtar Special dhe autoritete të sportit shqiptar, 12 atletët me aftësi të kufizuar do të përfaqësojnë Shqipërinë në disiplina të ndryshme si pingpong, atletikë, buling etj,.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Presidencë 6 vajzat dhe 6 djemtë e ekipit Olimpik Special u përgëzuan për iniciativën dhe u përshëndetën nga Presidenti i Republikes z.Bamir Topi i cili në fjalën e tij e konsideroi pjesëmarrjen në këtë aktivitet ndërkombëtar, si një dëshmi të emancipimit të shoqërisë shqiptare.

Presidenti Topi falenderoi Fondacionin Vodafone Albania për mbështetjen që i ka ofruar ekipit olimpik special.

Presidenti i Olimpikut Kombëtar Special, Z. Ismet Bellova premtoi se pritja dhe urimet e marra sot, do të jenë një shtysë e bukur për tu ndjerë të vlerësuar dhe të mbështetur në këtë eveniment ndërkombëtar.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori i kompanisë Vodafone Albania, Z.Haris Broumidis, punonjës të kësaj kompanie, përfaqësues nga media, Ministri i Kulturës dhe Ministri i Punës si dhe drejtori i Fondacionit Vodafone Albania Z.Albi Greva i cili bashkë me stafin e tij kanë organizuar për tri vite radhazi Lojrat Olimpike Speciale në Shqipëri duke e kthyer këtë aktivitet në një traditë për vendin tonë.

”Mbështetja e personave me aftësi të kufizuar është një prej prioriteteve tona. Eksperienca ka treguar se grupi i miqve, vullnetarëve dhe mbështetësve është zgjeruar dhe kjo na bën krenar. Ndonëse Lojrat Olimpike Speciale përfaqësojnë vetëm një prej nismave të shumta vjetore që financohen, më lejoni gjithashtu tju siguroj angazhimin e fondacionit dhe Vodafone Albania për vazhdimin dhe pasurimin e kësaj tradite në të ardhmen”- tha Z.Greva gjatë ceremonisë.

Përfaqësuesja shqiptare do të shoqërohet në Varshavë edhe nga Zonja e Parë e vendit Znj. Teuta Topi e cila do të mbështesë nga afër ekipin në këtë ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare.

e.r/NOA

KOMENTE