Tiranë, 14 shtator, NOA – Pas ndryshimeve të qeverisë të propozuara vetëm një ditë më parë nga kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi pak minuta më parë shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe dekreton emërimin e tij, si ministër i Ekonomisë, Turizmit dhe Energjitikës.
Presidenti dekretoi edhe shkarkimin nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i zëvendësuar tashmë nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, kreu i shtetit dekretoi emërimin si ministër i Punëve të Jashtme, të Edmond Haxhinastos, nënkryetari i LSI-së.
Propozimet për dy ndryshimet në qeveri erdhën pas mbledhjes së djeshme të kryesisë së Lëvizjes Socialste për Integrim, e cila kërkoi largimin e ministrit Prifti nga detyra, duke pohuar se këtë post të rëndësishëm ka kërkuar ta drejtojë vetë zëvendëskryeministri Ilir Meta.
Sipas Metës, largimi i tij nga detyra e shefit të Diplomacisë shqiptare erdhi si pasojë e axhendës së tij të ngarkuar si ministër i Jashtëm, axhendë e cila nuk i jepte kohë të merrej me strukturat drejtuese të LSI-së, si forca e dytë e koalicionit qeveritar me PD-në.
Tashmë konfigurimi i koalicionit qeverisës me LSI-në vijon, me të vetmin ndryshim, largimin e ministrit shumë të akuzuar për përfitime të pasurisë, Dritan Prifti dhe hyrjen në kabinetin qeveritar me portofolin e ministrit të Punëve të Jashtme, të një tjetër emri nga LSI, Edmond Haxhinasto.
mit/NOA