Tiranë, 14 shtator, NOA - Drejtoresha e Bankës Botërore dhe njëkohësisht koordinatore për Evropën Juglindore, Jane Armitage, ka vizituar Shqipërinë gjatë këtyre dy ditëve.
Qëllimi i vizitës së saj ishte prezantimi i drejtoreshës së re të këtij institucioni në Shqipëri, Kseniya Lvovsky, me qeverinë Shqiptare, agjencitë zbatuese, donatorët dhe me aktorë të tjerë të zhvillimit, si dhe diskutimi me autoritetet shqiptare i progresit të programit të Bankës Botërore në Shqipëri.
Në këtë kuadër, ajo mori pjesë në inaugurimin e një shkolle të re në Bashkinë e Kamzës dhe u takua me përfitues të projekteve.
Gjatë kësaj vizite, Armitage dhe Lvovsky takuan kryeministrin Sali Berisha, ministrat të tjerë të kabinetit të tij, zyrtarë të nivelit të lartë, përfitues të projekteve dhe donatorë.
Ato takuan edhe guvernatorin e Bankës Qendrore, Adrian Fullani, si dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Në këto takime, u diskutua për çështjet prioritare me të cilat përballet Shqipëria teksa rigjenerohet nga ndikimet e krizës globale financiare dhe bën përpara në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian, për programin e mbështetjes së Bankës Botërore dhe për zbatimin e projekteve në vazhdim.
“Ne jemi të lumtur që Banka Botërore mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare së bashku me donatorë të tjerë për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të mësimit të nxënësve shqiptarë”, u shpreh Armitage në fjalën e saj përshëndetëse në ceremoninë e inagurimit të kësaj shkolle, duke shtuar se arsimi përbën një nga prioritet kryesore të Bankës Botërore dhe është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1991. Financimi i Bankës Botërore për Shqipërinë deri sot arrin në përafërsisht 1.1 miliard dollarë për 67 projekte. Aktualisht janë 16 projekte në zbatim me një shumë prej 263 milion dollarësh.
n.e/NOA