English

Rama: Bibliotekat e reja, sfidat e radhës për kryeqytetin

Tiranë, 14 shtator, NOA - “Një bibliotekë është një vend ku mund të jesh në të njëjtën kohë në të katër anët e botës, mund të zhytesh thellë në shekujt e shkuar, mund të fluturosh përpara drejt mijëvjeçarësh që vijnë”.

Kështu u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, gjatë përfundimit të punimeve të cilat mundësuan rikonstruksionin e bibliotekës nr.7 në Laprakë.

Ajo ka zënë aktualisht një sipërfaqe prej 102 metrash katrorë në katin përdhe të një objekti ekzistues 3-katësh, në rrugën “Lord Bajroni”, në njësinë bashkiake nr. 11.

Sipas Ramës, një bibliotekë në Laprakë është një hapësirë e domosdoshme e shumëpritur nga plot të reja e të rinj në mënyrë të veçantë, që në këtë sallë të vogël të saporindërtuar, jo vetëm mund të gjejnë libra tërheqës, por mund të kenë edhe hapësirën e tyre të internetit për detyrat e shkollës, për kurset e ndryshme, por edhe për të gjithë kuriozitetet e tyre.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, më tej, e vuri theksin në domosdoshmërinë e krijimit të hapësirave të tilla veçanërisht për të rinjtë e kryeqytetit, të cilët mund të gjejnë aty literaturën e nevojshme për formimin dhe edukimin e tyre drejt së ardhmes.

Rama nënvizoi edhe nismën e cila do të mundësojë ngritjen e sallave të tilla në çdo lagje të kryeqytetit, duke kërkuar njëkohësisht edhe bashkëpunimin e shtëpive botuese, përmes fondit të librave që ata disponojnë.

“Në të njëjtën kohë, ne së shpejti do të hapim një nismë për të kërkuar pranë të gjitha shtëpive botuese të gjithë sasinë e mundshme të librave që ata i kanë në stokun e tyre dhe për të rritur ndjeshmërinë e njëkohësisht për t’u kërkuar që nga ky stok, të dhurojnë për bibliotekat e qytetit çka të munden. Sigurisht që ky qytet ka nevojë për akoma më shumë salla të tilla dhe ky është një tjetër objektiv i yni, që falë bibliotekave t’i çojmë në çdo lagje”, - u shpreh Rama.

Arkivi i bibliotekës, me mbi 400 libra për fëmijë dhe të rritur, të dhuruar nga Bashkia e Tiranës enkas për çeljen dhe rikonstruksionin e plotë të saj do të pasurohet në kohë, me të gjitha botimet e fundit që reflektojnë linjat didaktike dhe që i japin ndihmë të mësuarit dhe kërkimeve aktive artistike dhe shkencore.

“Kjo është një ditë fondamentale për këtë bibliotekë, falë punës së Bashkisë së Tiranës, e cila me këtë fond librash fillon një start të ri për komunitetin, duke shpresuar që kjo shifër të superohet në muajt që vijnë edhe me donacione të tjera dhe investime të prekshme, duke përbërë një inspirim për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që duan librin”, tha ai.

Në fund, ka deklaruar se Bashkia e Tiranës është përqendruar tek ideja e një biblioteke moderne publike, jo vetëm si një vend studimi e kërkimesh, por si një pikë takimi për të rinjtë, me qëllim që tu hapë atyre një dritare të re në horizontin kulturor.

“Biblioteka përbën për shkollën një aleat të fortë në promovimin tek të rinjtë të shijes për letërsinë dhe mundësisë që ata të rikuperojnë dhe trajtojnë informacionet që marrin duke lexuar. Për këtë arsye, administrata e bibliotekës duhet të bashkëpunojë me shkollat që ka përreth në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11, për të realizuar projekte që kanë të bëjnë me letërsinë për fëmijë e të rinj, duke organizuar takime me autorë, debate dhe prezantuar vëllime të reja. Biblioteka përmban një sallë leximi prej 16 vendesh dhe një sallë interneti të pajisur me 11 kompjutera në funksion të lexuesve”, përfundoi Rama.

n.e/NOA

KOMENTE