English

Rama: Qeveria e korruptuar duhet të largohet

Tiranë, 14 shtator, NOA, Update – Lideri i opozitës Edi Rama ka reaguar sot ndaj ndryshimeve më të fundit në qeverinë Berisha dhe posaçërisht pas largimit nga posti i ministrit të Ekonomisë, Turizmit dhe Enerigjitikës, Dritan Prifti, duke deklaruar keqardhjen e tij për zhytjen e mëtejshme të qeverisë shqiptare në llumin e keqqeverisjes e të korrupsionit.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat nga selia rozë, kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se “Largimi i djeshëm i ministrit të ekonomisë në një mbledhje partie dhe justifikimet e kryeministrit në një oborr shkolle, ishin një tjetër shembull i shpartallimit moral të këtij pushteti”.

“Asnjë procedurë normale, asnjë edukatë qeverisëse, asnjë lloj transparence me publikun”, theksoi zoti Rama për shkarkimin nga detyra sipas tij të qëllimshëm të ministrit Prifti.

Lideri i pozitës vijoi të theksojë rishtazi se “Qeverisja është kthyer në veprimtari fitimprurëse” dhe se “procesi qeverisës i ngjan një veprimtarie të organizuar kriminale për tjetërsimin e pronës e pasurisë publike, jo në interes të publikut po të oborrit të pushtetit’.

“Ndryshimet e djeshme në qeveri janë një shprehje e thjeshtë e faktit se nuk qeverisin më interesat e shqiptarëve po interesat e pushtetarëve”, nënvizoi zoti Rama.

Sipas gjykimit të shefit të opozitës, Rama, “dje nga qeveria iku Prifti, por jo Djalli që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë, korrupsioni gërryes që po shkatërron ekonominë e familjeve shqiptare për të pasuruar një grusht njerëzish”.

Shqipëria, sipas Ramës është sot më e kërcënuar se dje, andaj kjo duhet vetëm të largohet dhe “ne do të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta larguar”, tha shefi i PS-së, Edi Rama.

Duke iu referuar fakteve të përditshme të publikuara, kreu i Partisë Socialiste siguroi sakaq se “Do të vazhdojmë të provojmë me fakte këtë deformim sistemik të qeverisjes nga një proces administrimi i punëve të vendit në interes të publikut në një proces të kriminalizuar nga presioni i interesave ekonomike të oborrit të pushtetit”.

Duke e quajtur nismën e PS-së, si grupin e transparencës së qeverisjes, lideri Rama deklaroi se nesër do të publikojë një dokument që provon sesi e gjithë makina e shtetit, këshilli i ministrave, ministritë, agjencitë shtetërore, vihen në lëvizje nga sekserë, që operojnë për llogari të qeveritarëve.

Sikundër edhe ka deklaruar qysh prej humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, humbje që sipas tij erdhi prej vjedhjes së votës nga qeveria e Berishës, Edi rama tha se “çka ndodh përditë prej 15 muajsh është rezultati i votave të vjedhura dhe kutive të mbyllura. Zgjedhjet u vodhën që të privatizohet qeveria dhe të grabitet Shqipëria dhe për këtë arsye transparenca e zgjedhjeve i tremb ata që qeverisin pasi përmes transparencës zhbëhet mekanizmi me të cilin ata grabisin”, përfundoi këtë komunikim me mediat kryetari i PS-së, Edi Rama, të bërë si reagim ndaj ndryshimeve të qeverisë Berisha.

mit/NOA
KOMENTE