Tiranë, 14 shtator, NOA – Kontrata për privatizimin e ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot" nuk është prishur në mënyrë të njëanshme dhe çmimi i shitjes së pjesës që ishte pronë e shtetit, është miratuar me vendim qeverie.
Këto janë dy argumentat që ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, aktualisht në krye të ministrisë së Bujqësisë, ka dhënë publikisht pak minuta më parë lidhur me privatizimin e këtij objekti të njohur shtetëror, ndaj të cilit kanë mbërritur kohët e fundit mjaft akuza nga ana e selisë rozë.
Ndërsa është akuzuar sot nga deputeti socialist, Eduard Shalsi, se po hesht për këtë privatizim të bujshëm, ministri Ruli u shpreh i gatshëm që akuzat ndaj tij të hetohen nga një grup hetimor parlamentar.
Selia rozë ka paralajmëruar sot se nesër do të publikojë një dokument, i cili tregon arsyen e vërtetë se pse filloi ky proces privatizimi dhe se kush janë përfituesit e vërtetë të privatizimit të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”.
“Nesër ju do të viheni përballë një dokumenti rrënqethës, i cili tregon një të vërtetë që e nxjerr lakuriq ministrin, kryeministrin dhe të gjithë këtë qeveri në lidhje me këtë privatizim”, tha deputeti Shalsi lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA