English

Skandal në gjyqësor, lirohet Fotaq Zaharia, prokuroria kërkoi 22 vjet burgim

Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA - I cilësuar si “i forti” i Vlorës, Fotaq Zaharia ka “mundur” sot Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke marrë pafajësinë nga Gjykata. Edhe pse përpara gjykatës së Krimeve të Rënda dëshmoi e dëmtuara Marjeta Janku dhe bashkëshorti i saj Sokol Janku, të cilët treguan vjedhjen dhe pengmarrjen, duke përshkruar autorët, pesë anëtarët e trupit gjykues të Krimeve të Rënda e cilësuan akuzimin e të pandehurit të pabazuar në prova.

Për këtë arsye trupi gjykues i kryesuar nga Nertina Kosova i dha pafajësinë Fotaq Zaharisë të akuzuar për veprën penale të “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”.

Ndërkohë që më datën 8 gusht të këtij viti prokuroria kërkoi dënimin e tij me 22 vjet burgim.

Ngjarja për të cilën mori sot pafajësinë ka ndodhur më 19 nëntor të vitit 2001 rreth mesnatës.

Fotaq Zaharia dhe Ermir Habili, i dënuar për këtë ngjarje, me një motor kanë shkuar tek banesa e Jankut, ku të maskuar dhe me armë ndër duar futen me dhunë në banesën e tij duke shfrytëzuar shkallët e jashtme të katit të dytë.

Dy grabitësit pasi kanë kontrolluar gjithë banesën për lekë, duke mos gjetur sasinë që pretendonin kanë marrë peng bashkëshorten e kryefamiljarit, Marjeta Janku, shtetase zvicerane.

Në ikje ata marrin makinën e të dëmtuarve që ndodhej në oborrin e banesës së tyre të tipit “Fuoristradë” me targa "VL 1133 B" që do drejtohet nga Habili, ndërsa, vetë Zaharia e ndjek makinën nga pas me motorin e tij.

Sipas akuzës në ikje, Zaharia ka marrë në telefon kryefamiljarin Sokol Janku duke i kërkuar në këmbim të lirimit të bashkëshortes së tij pesë milionë lekë të reja.

Sokol Janku ka lajmëruar policinë, e cila iu ka bërë pritë Habilit. Ai liroi pengun ndërsa më pas u arrestua nga policia.

e.r/NOA

KOMENTE