Prishtinë, 14 shtator, NOA - Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, është vlerësuar si lideri më i preferuar politik në Kosovë. Kjo bëhet e ditur sipas një sondazhi të realizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme në Prishtinë.
Hulumtimi po ashtu identifikon rritje të ndjeshme të masës që kundërshton bisedimet. Kjo mund të interpretohet edhe nga fakti se lideri më i preferuar për kosovarët del të jetë Albin Kurti, thuhet në përfundimin e këtij hulumtimi.
Rezultatet e hulumtimit po ashtu tregojnë se zgjidhja jo e duhur për veriun do të rezultojë me radikalizmin e veprimeve të qytetarëve.
Shumica e qytetarëve të Kosovës mendojnë që duhet të ketë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët dhe serbët e Kosovës pajtohen se çështja e të pagjeturve, lëvizja e lirë, veriu i Kosovës si dhe pozita e shqiptarëve në Serbi, duhet të trajtohen në këto bisedime, siç pajtohen se në këtë proces nuk duhet të diskutohet për statusin, ndarje apo hapje të Pakos së Ahtisaarit.
Ky është disponimi i qytetarëve të Kosovës, i matur nga një hulumtim i Klubit për Politikë të Jashtme dhe Forumit 2015. Klubi për Politikë të Jashtme ka njoftuar se hulumtimi është bërë për të parë se sa janë të njoftuar qytetarët me mundësinë e fillimit të një raundi të ri bisedimesh. Kosovarët preferojnë që bisedimet të jenë të ndërmjetësuara, ndërsa SHBA-të dhe BE-në i konsiderojnë ndërmjetës të preferuar.
NOA-INA