Tiranë, 15 shtator, NOA – Ndërsa kanë qenë duke kryer detyrën e inspektimit të një zone të dyshuar për mbjelljen e bimëve narkotike, forcat policore janë qëlluar me armë, por për fat të mirë nuk ka patur të lënduar.
Ngjarja e bërë me dije paraprakisht nga burimet policore, mësohet se ka ndodhur pranë fshatit Zgur të kryeqytetit, ndërsa forcat e policisë së komisariatit të Kamzës ishin drejtuar për atje, pas dyshimeve për mbjellje parcele me kanabis sativa.
Ndërkaq, thuhet se është mundur të kapet autori i ngjarjes Ibrahim Elezi, i cili në fakt, kërkohej për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes” dhe i ishte komunikuar masa e detyrimit për paraqitje në polici.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po merret me analizimin e të gjitha rrethanave në të cilat u zhvillua incidenti i sotëm, ndërsa mësohet se policia ka arritur të identifikojë një parcelë të mbjellë me 500 bimë kanabis sativa.
n.e/NOA