English

Ambasadori i Sllovenisë në Maqedoni, vizitoi komunën e Haraçinës

Haraçinë, 15 shtator, NOA – Kryetari i komunës së Haraçinës , Bastri Bajrami, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Sllovenisë në Maqedoni, Alan Brajant Bergant.

Bajrami bëri një përshkrim të gjerë të situatës aktuale që po kalon komuna e Haraçinës, të reformave që po kryhen me qëllim përmbushjen e standardeve integruese si dhe diskriminimin që po i bëhet nga qeveria e Maqedonisë.

“E informova ambasadorin slloven për të gjitha projektet që kemi përpiluar deri më tani, por edhe me vështirësitë që kemi në aplikimin e tyre pasi çdo herë po hasim në vesh të shurdhër, diskutuam edhe mbi procesin e decentralizimit, si një mundësi për të fuqizuar kompetencat e komunave, si dhe problemin e kanalit që ca vite ishte bombë ekologjike për popullatën e Haraçinës”, theksoi Bajrami.

Ai më tej shto se biseda u përqendrua edhe në gjendjen e rënduar ekonomike të vendit për shkak të lojërave politike, duke ditur që Haraçina njihet si një vend mjaft i pasur me tokë bujqësore.

“Biseduam edhe për problemin në arsim, ku kemi nevojë edhe për ndërtimin e shkollave pasi nxënësit mësojnë me tre turne. Ambasadori slloven më premtoi se së shpejti do të ndihmojë në ndërtimin e një çerdheje për fëmijë, por edhe do të krijojë kushte për bashkëpunim me komunat më të zhvilluara sllovene”, bëri me dije ai.

Nga ana e tij, ambasadori Bergant falenderoi Bajramin për pritjen e ngrohtë dhe i premtoi se me mundësitë e tij do të ndihmojë këtë komunë.

n.e/NOA

KOMENTE