English

Arrestohet në flagrancë një pedagoge me gradë profesore në Tiranë

Në fakt, kjo është një dukuri që studentët e miqtë dhe të afërmit e tyre prej vitesh e njohin mirë që funksionon dhe paguajnë shumë para me këtë skemë abuzive dhe kapja e profesoreshës së sotme, sigurisht është vetëm një prej pedagogëve të zhytur në këtë metodë disi më të sofistikuar vjedhjeje

Tiranë, 15 Shtator 2010 NOA – Një pedagoge me gradë shkencore është arrestuar në Tiranë, pasi u kap në flagrancë duke marrë para në formë abuzimi me detyrën.

Burime nga Policia dhe nga Prokuroria e Tiranës i thanë agjencisë NOA se “u arrestua pedagogia e Fakultetit të Inxhinierisë tek Departamenti i Fizikës, Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT), Prof. Dr. Afërdita Veveçka - Priftaj (Akademike e Asociuar).

Ajo u prangos nga forcat e Task Force ne bashkepunim me policine e Tiranes, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Konfirmohet se dy kallëzime dhe raste të provuara rëndojnë mbi të dyshuarën, ku i kërkonte studentëve të bënin konsulta private brenda ambienteve të Fakultetit kundrejt pagesave.

Mësohet se e dyshuara u arrestua brenda ambientit universitare gjatë kryerjes së provimeve. Vendimi për arrestimin u ekzekutua nga policia e kryeqytetit në zbatim të një urdhri që lëshoi prokurori Olsi Dado, për një hetim që zgjaste prej afro një muaji, kryer me metoda speciale.

Nga hetimet e kryera, bëhet e ditur se profesoresha e akuzuar për korrupsion me studentët, bënte konsulta private brenda ambienteve të shkollës për t’i kaluar më pas në provimin e ngelur.

Në fakt, kjo është një dukuri që studentët e miqtë dhe të afërmit e tyre prej vitesh e njohin mirë që funksionon dhe paguajnë shumë para me këtë skemë abuzive dhe kapja e profesoreshës së sotme, sigurisht është vetëm një prej pedagogëve të zhytur në këtë metodë disi më të sofistikuar vjedhjeje.

e.r/NOA

KOMENTE