English

BDI dhe PDSH përplasen për dosjet

Shkup, 15 shtator, NOA - PDSH dhe BDI janë përplasur sot lidhur me procesin e lustrimit, pas publikimit të lajmit se njëri nga deputetët e partisë shqiptare në pushtet BDI ka qenë ish-bashkëpunëtor i UBD-së jugosllave.

Zëdhënësi i PDSH-së, Luan Tresi, sot nuk publikoi emrin e deputetit, por paralajmëroi se do t’i jap kohë dhe mundësi Komisionit për verifikimin e dosjeve që të kryej obligimin ligjor dhe të zgjidhë këtë çështje.

“Në qoftë se komisioni nuk e bën këtë atëherë ne si PDSH do të ngrejmë aktpadi penale kundër anëtarëve të komisionit për lustrim si dhe do ta publikojmë emrin e deputetit të BDI-së, bashkëpunëtorit të shërbimit sekret policor”, deklaroi zëdhënësi Tresi.

Nga ana tjetër, nëpërmjet një komunikate ka reaguar partia e Ali Ahmetit e cila ka dënuar veprimet e PDSH-së.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është propozues i Ligjit për verifikimin e fakteve, i njohur si Ligji për lustracion. Ne si parti distancohemi dhe dënojmë degradimin moral të PDSH-së, e cila, si me direktivë, po e defokuson esencën e Ligjit për lustracion, duke e drejtuar atë kah viktimat dhe jo kah bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete. Shqiptarët kanë qenë viktima më e madhe e sistemit monist dhe shërbimeve sekrete. Sot, një arti shqiptare me vetëdije është lëshuar në ndjekje dhe gjykim për atë se cilët shqiptarë kanë qenë ose nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve.

Në ndërkohë, monsterët e vërtetë të shërbimeve sekrete edhe më tej funksionojnë në shoqërinë tonë. Është ironike që kemi ardhë në situatë që PDSH, sigurisht me direktiva, kundërshtarët e djeshëm të sistemit monist, sot t'i shndërrojë në viktima të sistemit demokratik”, ka reaguar BDI.

Kjo parti vlerëson se me keqardhje po duhet të merret me këtë siç thuhet “demonstrim të kulturës elementare politike dhe me këtë njollosje të së kaluarës sonë si shqiptare, fushatë të cilën me qëllim dhe me vetëdije të plotë e ka nisur PDSH”.

NOA-INA

KOMENTE