Tiranë, 15 shtator, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Presidentin e Fondacionit "Zoja e Këshillit të Mirë", At Ruggero Valentinin, i cili pak javë më parë u zgjodh Padre Generale i Kongregacionit "Të Bijtë e Zonjës së Papërlyer", pranë Selisë së Shenjtë.
Në takim u diskutua për aktivitetin e këtij kongregacioni në Shqipëri, i cili prej shumë vitesh është angazhuar në fushën sociale, arsimore, shëndetësore, si dhe për lidhjet që ky kongregacion ka krijuar në forcimin e prezencës së misioneve të Selisë së Shenjtë në Shqipëri gjatë këtyre viteve.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zgjerimin e aktiviteteve të kongregacionit “Të bijtë e Zojës së Papërlyer”.
Kryeministri Berisha i shprehu At Valentinit falenderimet për ndihmën e jashtëzakonshme, që shteti italian i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese.
Zoti Berisha në këtë kontekst e ka cilësuar Italinë si avokaten e Shqipërisë në këtë proces.
At Ruggero Valentini shprehu vlerësimet për përkushtimin dhe mbështetjen që kryeministri Berisha i ka dhënë kongregacionit për realizimin dhe çuarjen përpara të shumë projekteve të rëndësishme.
Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, At Ruggero Valentini theksoi se “për ne Shqipëria është pjesë e Evropës, ndaj dhe urojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë”.
mit/NOA