Tiranë, 15 shtator, NOA – Heqja e vizave me Bashkimin Evropian, duket një gjë e afërt tashmë pas raportit të fundit të publikuar nga Komisionin Europian i cili mbi bazën e inspektimeve të kryera për problematikën e 120 kërkesave të Udhërrëfyesit, ka konkluduar se Shqipëria duhet të konsiderohet për heqjen e vizave.
Një fakt të tillë e ka deklaruar sot në mbledhje qeverie, kryeministri Berisha, sipas të cilit, synohet sa më parë arritja e këtij objektivi, në një kohë kur janë shpërndarë deri tani mbi 1 milion pasaporta biometrike për qytetarët shqiptarë.
“Falënderim për Komisionin Evropian mbi vlerësimin e heqjes së vizave”, ka qenë nota e shprehur publikisht lidhur me një fakt të tillë nga kreu i qeverisë.
Sipas tij, ky raport është historik për shqiptarët dhe përben gjithashtu konsolidim të përpjekjes së qeverisë shqiptare për të bërë Shqipërinë një vend të sigurt.
“Ky përbën një lajm pozitiv dhe me predispozitë të madhe pozitive këtë e ka vlerësuar edhe Komisioni i Parlamentit Europian për Drejtësi, Siguri e Emigracion. Ka rëndësi të madhe që ky raport të përshtatet si një program pune që arritjet reale të padiskuteshme të shënuara në përpjekjen tonë për të merituara heqjen e vizave të avancohen", tha ai.
Sipas raportit përfundimtar të Komisionit Europian, Shqipëria ka shënuar progres të mirë në përmbushjen e 3 kushteve të mbetura për procesin e liberalizimit të vizave.
n.e/NOA