English

Berisha: Shqipëria, lojtare e rëndësishme në projektin TAP të gazit natyror

Tiranë, 15 shtator, NOA – Kryeministri Berisha priti sot përfaqësues të kompanive të projektit TAP (Trans Adriatik Pipeline Gas) të gazit natyror, ku përfshihet kompania norvegjeze Statkraft, kompania zvicerane EGL, kompania gjermane E.ON Ruhrgas, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë “Statoil”, Kjetil Tungland.

Ky i fundit e informoi kryeministrin shqiptar për hapat e ndërmarra në muajt e fundit dhe për progresin e këtij projekti.

“Krahas përparimit teknik të projektit, - u shpreh ai, - është avancuar edhe në aspektin gjeopolitik”.

Më tej, drejtori ekzekutiv i kompanisë “Statoil”, Tungland, i kërkoi kryeministrit Berisha rikonfirmimin për të vazhduar rolin mbështetës dhe lobues, shumë frytdhënës deri më tani, të Shqipërisë.

Pasi e informoi mbi progresin teknik dhe procedural të këtij projekti, e falënderoi kryeministrin Berisha për rolin aktiv dhe shumë të rëndësishëm që ka luajtur dhe po luan qeveria shqiptare në realizimin e këtij projekti.

“Si rezultat, - u shpreh Tungland, - së shpejti, ky grup do të organizojë takimin e përbashkët për nënshkrimin e një rezolute midis vendeve kryesore nga do të kalojë kjo linjë gazi natyror, Azerbajxhani, si vendburim i gazit, dhe më pas Itali, Greqi, Turqi, Shqipëri”.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i prezantoi përfaqësuesve të kompanive të projektit TAP situatën ekonomike dhe politike të vendit, duke theksuar se ritmet e shpejta të zhvillimit të Shqipërisë kërkojnë domosdoshmërish edhe mbështetje me projekte madhorë, me rëndësi shumëdimensionale, si ky i furnizimit me gaz natyror, burim i pastër energjie.

Më tej, kryeministri i falënderoi dhe përgëzoi për progresin e bërë, si dhe i garantoi atyre mbështetje të plotë të qeverisë së tij, si dhe angazhimin e mëtejshëm intensiv të tijin personal për të realizuar suksesin e këtij projekti kaq të rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe politike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

Kryeministri Berisha u theksoi përfaqësuesve të kësaj kompanie rëndësinë e madhe dhe përfitimin e projektit kur në përbërje të tij të përfshihen jo vetëm Shqipëria, por dhe vendet e tjera fqinje në rajon.

Gjithashtu, kryeministri i siguroi se pjesëmarrja e qeverisë së tij do të vazhdojë të synojë përshpejtimin e procedurave dhe fazës përgatitore për realizimin e këtij projekti.

n.e/NOA

KOMENTE